Ulqin, në Shtoj prej vitit 2009 janë ndërtuar 1200 objekte joligjore

July 23, 2017   | Lajmet / Vijesti, Real Estate

Gjithsej në mënyrë të paligjshme në Shtoj, janë ndërtuar 1200 objekte gjatë viteve prej 2009 deri sot, njoftoi sot Menaxheri i Komunës së Ulqinit Nazmir Sula, për televizionin Teuta.

Menaxheri i Komunës së Ulqinit Nazmir Sula, tha për televizionin Teuta se komisioni i formuar nga Komuna e Ulqinit, ka arritur që deri tani të bëjë regjistrimin e të gjithë objekteve prej Adës e deri tek pika e karburantit “Kalamper”, dhe se në muajt në vazhdim do të kryhet edhe pjesa tjetër e qytetit. Me këtë regjistrim , tha Sula, Komuna do të ketë një bazë të saktë të të dhënave se sa objekte janë në komunën e Ulqinit me të gjitha përmasat reale.

Nga të dhënat e mbledhura del se vetëm në Shtoj prej vitit 2009, kur është bërë regjistrimi i fundit, janë ndërtuar ose modifikuar rreth 1200 objekte banesore, shumë prej tyre me përmasa hotelerike. Nga kjo del se humbjet e Komunës së Ulqinit në bazë të të ardhurave tatimore këto vitet e fundit kanë qenë kolosale. “Regjistrimi i të gjithë objekteve me përmasa reale do ti mundësojë Komunës që tatimin ta vjelë në formë më efikase dhe të barabartë, ku çdokush do të pagujë aq sa edhe është madhësia e objektit në pronësi të tyre”, tha Sula.