Në kufirin Shqipëri – Mali i Zi fluks i madh i automjeteve – Video
Sezoni turistik veror ka sjellë këtë të shtunë një fluks të madh turistësh në pikëkalimin e përbashkët kufitar të Muriqanit, në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi. Megjithëse autoritetet kufitare të të dy vendeve fqinje po punojnë me procedura të përshpejtuara dhe me pesë sportele, vargu i automjeteve që presin kalimin e kufirit arriti sot paradite në rreth 2 kilometra.
Vetëm gjatë dy ditëve të fundit në pikëkalimin kufitar të Muriqanit kanë kaluar rreth 2500 automjete me 18 mijë përsona.
Pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi u përurua në vitin 2009 me nismën dhe financimin e BE-së. Por, që nga viti 2009, fluksi i kalimtarëve ka ardhur gjithnjë në rritje, aq sa tani, autoritetet kufitare të të dy vendeve pohojnë nevojën e zgjerimit të tij për të përballuar flukset e larta të kalimtarëve, kryesisht gjatë sezonit turistik veror dhe festave të fundvitit.