Shoqata “Ora” organizoi aksionin e pastrimit të urës së vjetër të Klleznës

July 2, 2017   | Lajmet / Vijesti, Real Estate

Shoqata “Ora me ndihmën e Ndërmarrjes Publike “Veprimtaritë Komunale” organizoi të shtunën, më 1 korrik 2017, aksionin e pastrimit të Urës së Vjetër të Klleznës.

Në aksion morën pjesë anëtarë të Shoqatës, disa të rinj nga fshati Kllezën dhe punëtorë të angazhuar për pastrim. Aksioni ishte në vazhdën e aktiviteteve të Shoqatës “Ora” për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e monumenteve kulturore-historike, si prioritet i çdo shoqërie. Ai u zhvillua në fillim të sezonit turistik dhe ka për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit, tërheqjen e vëmendjes së munguar të institucioneve përgjegjëse komunale dhe shtetërore, si dhe krijimin e kushteve për vendosjen e këtij monumenti në shërbim të turizmit si pikë për vizitorë.

Ura e Vjetër e Klleznës përbën një nga monumentet kulturore-historike me rëndësi të veçantë në Komunën e Ulqinit. Ajo mendohet të jetë ndërtuar rreth vitit 1696/1697 dhe ka shërbyer për lidhjen e Shkodrës me Ulqinin deri në vitin 1954, kur pranë saj u ndërtua ura e re, me ç’rast Ura e Vjetër doli jashtë përdorimit. Ndonëse përbën një objekt mbi 300-vjeçar, me arkitekturë impozante dhe paraqet një monument unikat në Komunën e Ulqinit dhe në Mal të Zi,  fatkeqësisht nuk ndodhet në regjistrin e monumenteve kulturore-historike të mbrojtura me ligj.

Shoqata “Ora” ka ndërmarrë deri tani një sërë nismash dhe aktivitetesh konkrete me qëllim të mbrojtjes, konservimit, rikonstruktimit dhe valorizimit të Urës së Vjetër të Klleznës që do të mundësonin futjen e saj në agjendën turistike.

 

Ulqin, më 1 korrik 2017