I vertetohet vendimi i Çapriqit: Ada nuk është pronë e “Rivierës së Ulqinit”
Ministria e financave ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë të njësisë zonale të Drejtorisë për patundshmëri në Ulqin e cila në fillim të shkurtit të këtij viti ka refuzuar kërkesën e Ndërmarrjes hotelerike – turistike “Riviera e Ulqinit” për regjistrim të të drejtave pronësore në tokën në Adë të Bunës, raporton portali Ul.info.
Këtë për Vijesti e vërtetoi avokati i Rivierës së Ulqinit Branislav Lutovac. “U vërtetua vendimi i shkallës së parë, kështu që tani po përgatisë padinë për Gjykatën administrative”, tha ai.
Kadastra lokale në vazhdimësi, deri tani, ka kontestuar të drejtën e pronësisë të kësaj ndërmarrje hotelerike të tokës në Adë të Bunës në të cilën ndodhet vendbanimi turistik i Rivierës së Ulqinit.
Ministria në procesin e shkallës së dytë më herët ka anuluar vendimin e shkallës së parë të kadastrës në krye të të cilit është Xhevdet Çapriqi, por kësaj herë e ka vërtetuar këtë vendim.