Ismet Mollabeqirin e merr malli për Ulqin
PORTRET: Ismet MOLLABEQIRI
Vështirë të shkruash për mërgimtarët, për njerëzit tanë, të cilët tash një kohë të gjatë, posaçërisht nga mjedisi i shekullit të kaluar, më shumicë filluan ta lëshojnë vendlindjen. Vështirë, pasi që shumë mërgimtarët u inkuadrun në shtetet ku shkun për punë, ku edhe gjetën punë, dhe kushte të jetesës më të mirë.
Para disa vitesh filluan të vinin në vendlindje në Ulqin, për të kaluar një pjesë e pushimeve tyre. Mirëpo, çka është më tragjike, shumë nga fëmijët e tyre, të cilët rriten dhe shkollohen atje, posaçërisht ata nga Australia dhe Amerika, në vendlindje të prindërve të tyre vin rallë ose asnjëherë. Natyrisht, mjedisi, kushtet ekonomike, i kanë larguar edhe më shumë nga vendlindja e prindrëve të tyre. Kohën e fundit, përsëri është një “trend “ ku shumë të rinjë për shkak kushteve ekonomike, përsëri po largohen nga qyteti ynë, çka duhet të na brengosë. Prandaj, është vështirë të shkruash për mërgimtarë.
Mirëpo, unë sot dëshiroi të shkruaj për ato të cilët kanë pasur mall të madh për vendlinden, dhe ky është njëri nga faktet, i cili më së tepërmi ka ndikuar që disa nga ato ti kthehen vendlindjes. Kjo duhet të përshëndetur. Edhe më parë, në librin tim “Kalaja, legjendë dhe art” kam shkruar për familjen ISHMAKU nga Rana e jonë, mërgimtarë nga Australia e largët, të cilët tashmë, kanë ndërtuar shtëpitë në pronen e tyre në Ranën tonë të bukur, çka është një shenj pozitiv. Padyshim, edhe fëmit e tyre më së pakti në pushime , do të vinin në Ulqin.
Por sot në fokusin tim është një mërgimtar i cili gjithashtu vjen nga Australia e largët, dhe tash një kohë është kthyer në vendlindje. Fjala është për Ismet MOLLABEQIRIN, njërin nga fisi i madh i njohur Mollabeqiri nga Ulqini.
ISMETI, është një njeri i thjesht i but, modest, i pashëm dhe gjithmonë elegant i veshur. Pavarsisht se tashmë është në moshen 75 vjeçare, ende është vital dhe padyshim një figur markante e qytetit tonë. Shpesh takohet me Shefko ISHMAKUN , shokun tim nga fëmëria dhe rinia, i cili gjithashtu është mërgimtar nga Australia e largët. Ky fakt edhe më ka shtyr që të bisedoj pak edhe me te, pavarësisht se unë ISMETIN e njoh , dhe e kam njohur edhe më parë.
Për çdo ditë në orët e mengjesit, Ismeti del në Ranë, takohet me shokët e tij nga rinia, dhe pastaj në kafenen “TIMONI” pin kafen e parë të mengjesit. Kthimi nga mërgimi dhe malli i madh për vendlindje, në veçanti për Ranë , për pamjen në det dhe në Kala, dhe për ato shokët e tij të cilët ende jetojnë, e shtyn që për çdo ditë, sa çel sytë, menjëherë të ulet në Ranë.
Ismeti ka një biografi interesante. Më tregon, se si ka vendosur të largohet nga vendlindja, për të kërkuar punë, dhe kushte për një jetesë më të mirë, për vete dhe për familjen e tij. Ismet MOLLABEQIRI, është larguar nga vendlindja në vitet e 70 të shekullit të kaluar. Vështirë ta paramendosh, se një njëri nga këto treva të shkojë deri te Zelanda e Re, me dy fëmijë të vegjël. Vështirë ta imagjinosh edhe sot, e jo më në ato kohë të viteve të 70 të shekullit të kaluar. Më tregon për kohen e kaluar në Zelandën e Re, në qytetin OCLAND, ku ka punuar dhe qëndruar afër 3 vite. Pas tre viteve vendosi të kalojë në Australi, në MELBOURNE, ku ka qendruar 37 vite.
ISMETI është bojaxhI, ( MOLER) me profesion, zanat që e ka mësuar në Sarajevë. Pas kthimit nga Sarajeva në Ulqin, fillon të punojë si bojaxhi së bashku me të ndjerin Bahri RESULBEGUN , Fejzi ISMAILAGËN dhe të tjerët, në një ndërmarjeje të Ulqinit. Bahriu ka ndërruar jetë, kurse Fejzi ISMAILAGA gjithashtu është mërgimtar në SHBA të Amerikës dhe ende edhe sot jeton atje. Edhe mua më kujtohet shefi i tyre, i ndjeri Luka PRODANOVIQ, një mjeshtër me nam i asaj kohe nga Ulqini i kësaj ndërmarjeje. Më ka mbetur në kujtesë kjo kohë, (vitet 60 të shekullit të kaluar), pasi që shpesh herë si fëmijë , kam shkuar të i a çoj (drekën) “bukën” Fejziut, kur këta mjeshtra kanë rinovuar hotelin “JADRAN”, për të pritur mysafirët e parë.
Ishte kjo koha e fillimeve të turizmit tonë. Fejziun e kam pasur djal halle, dhe mua dhe motrës sime Hyrijes, gjithmonë na ka takuar, me degjojmë hallën (Hajlije ISMAILAGA) për të ia “çu”( drekën) “bukën” Fejziut në hotelin “JADRAN”, pasi që kemi qenë më të vegjëlit në familljen tonë.
Ps kthimit nga Zelanda e Re në Australi, Ismet MOLLABEQIRI, takohet këtu me kushëririn tim të ndjerë Ibrahim KARAMANAGA, i i cili i ka ndihmuar shumë për qendrimin e tij në Australinë e largët.
Edhe IBRAHIMI ka qenë bojaxhi me profesion. Së bashku me të ndjerin ( VOJO) ÇILINGIRIN, gjithashtu nga Kalaja, janë larguar shumë më parë në (vitet e 50 )nga vendlindja, për të kërkuar punë. Kanë mbërritur deri në Australi, ku edhe kanë gjetur kushte për punë dhe për jetesë, më të mirë se këtu.
Nuk kam dijeni, se a ka qenë i ndjeri (VOJO) ndonjëherë në Ulqin, mirëpo, IBRAHIMI ka qenë disa herë ku edhe ka kaluar pushimet në Kala dhe në Ulqin. Pas ndrimit jete, trashëgimtarët nga ana e bashkëshortes të tij Terezës, ia kanë plotësur dëshirën e tij, dhe e kanë sjellë të ndjerin Ibrahim KARAMANAGA në Ulqin, ku edhe ëshrë varrosur, në varrezat e Karamanagëve në Meteriz. Ka pasur mall të madh për vendlindjen dhe në varrin e tij është mbishkrimi, dëshira e tij e lënë më goj dhe më shkrim, i që tregon qartë se çka është migrimi: “I dashuri atdhe. Tash kthehem, në pushimin e përgjithmonshëm”.
Nga Ibrahimi Ismeti ka pasur përkrahje dhe ndihmesë të madhe. Kur flet për te, flet me një nostalgji, pietet dhe respekt të madh, të veçantë. Edhe kur ka ndërruar jetë Ibrahimi, Ismet MOLLABEQIRI ka qenë pranë tij. ” Këshillat, ndihmën dhe fjalët e tij nuk i harroj kurrë”, tregon ky njëri i cili është mirënjohës për secilën fjalë, ndihmë dhe këshillë të ciliën e ka pasur nga ky person i familjes tonë KARAMANAGA.
Ismeti, është një njëri i kënaqur me punën dhe me jetën e tij, në përgjithësi. “E kam kryer misionin tim si njëri, por edhe si prind me suksesë”, shprehet ai.
Natyrisht, gjithmonë vlerëson rolin e madh dhe përkrahjen e bashkëshortes së tij HYRIJES, e cila ka qenë shtylla kryesore në jetën e familjes së tij, në mërgim, thotë Ismeti. Pas kthimit nga Australia jeton në shtepinë e tij në rrugën 7, e cila gjendet pas shkollës “Boshko Strugar”, përtej bedeneve të Kalasë. Së bashku me bashëshorten e tij HYRIJEN, një zonjë nga familija SULA, jeton në një harmoni të jashtëzakonshme.
Edhe diçka nga jeta e tij. Ismeti ka lindur pranë detit, dhe detin , barkat dhe sanallat gjithmonë i ka pasur dhe ende i ka në gjak. Prandaj, edhe kam pasur dy hobi, thotë Ismeti, peshkimin dhe gjuetin. “Kur kam pasur kohë të lirë, gjatë fundjavës shpesh kam shkuar në peshkim , a po në gjueti, varet nga stina e vitit. Në Australi, duhet ti respektoni ligjet të cilët sundojnë në peshkim , a po në gjueti . Këtë e bëjë edhe këtu në Ulqin”.
I biri ARMENDI, dhe e bija GJYLI, kanë lindur në Ulqin, Edhe ato dhe fëmijët e tyre jetojnë dhe punojnë në MELBOURNE, të Australisë. Mirëpo, fakti se edhe ato i kanë bashkëshortët të lindur në Ulqin, tregon qartë se një ditë edhe ata do të kthehen në vendlindjen e tyre, në Ulqin. ISMETI dhe zonja HYRIJA nuk e humbin shpresën kurrë.
Mendoj se është mirë që personazhët siç është edhe Ismet MOLLABEQIRI, dhe shumë të tjer nga qyteti ynë, ti shënojmë dhe mos ti harrojmë. Është mirë që edhe gjeneratat e sotme të njoftohen me këto njerëz të cilët e kanë shënuar qytetin tonë në shekullin e kaluar. Ndoshta dikur edhe ta gëzojnë vendin e merituar në trashëgiminë tonë.
Ulqin, shkurt 2017 Ismet KARAMANAGA