Pelegrinët nga Ulqini 10 orë në këmbë për të marrë pjesë në Meshen e 38 martirëve në Shkodër

38 martirë të Kishës Katolike lumnohen sot në një meshë solemne që do kremtohet nga 5 kardinalë dhe që pritet të ndiqet nga mbi 10 mijë shtegtarë, nga Shkodra, Tirana, Prishtina, Shkupi, Ulqini e Diaspora. Ceremonitë nisën dje me përkujtimin e meshës së parë që u mbajt në kryeqendrën e veriut, 4 nëntorin e 1990-s
Kjo e Shtunë do të jetë një ditë e rëndësishme, jo vetëm për besimtarët e krishterë, por për të gjithë popullin shqiptar, pasi do te lumturohen të 38 martirët e Kishës Katolike. Në sheshin përpara Katedrales së “Shen Shtjefinit” në Shkodër, janë duke u bërë përgatitjet e fundit për kremtimin e Meshës Solemne dhe një gjë e tille pohohet nga vetë famullitari i Shkodrës, Dom Artur Jaku. “Atmosfera është e ngrohtë, njerëzit kanë filluar me ardhur nga vende të ndryshme të botës. Flitet për 38 dëshmitarë të fesë dhe kombit, tani nuk do i përkasin vetëm Shqipërisë, por universalë. Ata do të lajmërojnë se shqiptarët janë një komb që kanë se çfarë me i falur Europës dhe botës” tha ai. Ndërsa, arqipeshkvi i Potenzes i ardhur në Shkodër me rastin e meshës së shenjtë, Imzot Salvatore Logorio, theksoi se me lumturimin e 38 martirëve Shqipëria rigjen identitetin e saj. “Është një emocion dhe mbi te gjitha një sjellje gëzimi në momentin që është kjo frymëmarrje e një fare të rene, e cila dukej sikur po kalbej dhe nga aty është ri-lulëzuar shprehja e një jetë autentike, ashtu si merr fryme lirisht sot kisha e Shqipërisë falë derdhjes së gjakut të këtyre martirëve. Kjo është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë pasi gjë rigjen identitetin e saj dhe e ngre në nivel ndërkombëtar. Mendoj se kjo ditë i shërben Shqipërisë, por behet mbi të gjitha një frymëmarrje për të gjitha ato toka ku ka persekutim dhe ndoshta pikërisht ky shekull i kaluar ka pasur me shume martir se gjithë historia e kishës. Atëherë ky gjak i derdhur, i cili kthehet dhe rilind për të dhënë shpresë aty ku ka një kishë në qetësi dhe në dhimbje”.
Mesha e shenjtë do të zhvillohet të Shtunën në orën 10:00 në Katedralen e “Shen Shtjefnit” dhe do të kremtohet nga Eminenca e Tij, Kardinal Angelo Amato. Në aktivitet janë të ftuar Autoritete të Larta të Vatikanit dhe në përbërje të delegacionit do të marrin pjesë edhe 5 kardinalë. Mbi 10 mijë persona pritet të jenë të pranishëm
Vigjilja – Shkodra gati për lumnimin e 38 martirëve të parë të komunizmit në Shqipëri. Përgatitjet e ethshme përfunduan, duke e zbukuruar si sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit, ashtu edhe rrugët pranë saj me kryqe, me flamujt e Shqipërisë e të Vatikanit, me fotografitë e martirëve, me parrulla ku janë shkruar fjalët e tyre të fundit, por edhe pjesë nga Ungjilli. Pikërisht në këtë vend, kthyer në Pallat sporti gjatë diktaturës, aty ku sot ndodhet shtatorja-simbol e martirizimit dhe rruginat me emrat e martirëve që çojnë tek ajo, njerëzit ndaleshin e bënin fshehurazi një kryq, ndërsa dëgjoheshin nga brenda thirrmat e basketbollistëve dhe të tifozëve. Ashtu si atëherë, edhe sot, të gjithë janë të vetëdijshëm se ajo ndërtesë ka mbetur përherë Kisha e Madhe, banesa e Zotit. Këtu, në orën 10.00, i dërguari i Papës Françesku, Prefekti i Kongregatës për Cështjet e Shenjtorëve, kardinali Angelo Amato, i cili ka mbërritur tashmë në qytetin verior, do të kremtojë meshën për lumnimin e 38 martirëve. Bashkë me të edhe kardinaj të tjerë të Kishës Katolike, ardhur nga vende të ndryshme të botës, si kardinali Bagnasco, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, kardinali Ranier Maria Woelki, ipeshkëv i Këlnit, kardinali Salvatore de Giorgi e kardinali Crescenzio Sepe, ipeshkvi i Napolit, por sidomos kardinali i ri shqiptar, Ernest Troshani.
Përkujtimi i meshës së 1990-s/Dje paradite, mesha e shenjtë në varrezat e Rrmajt, në orën 9.00, në 26-vjetorin e meshës së parë kremtuar nga don Simon Jubani, kur komunizmi ishte akoma në këmbë. Kësaj radhe, e kremtoi meshën një meshtar i ri, don Gjovalin Simoni, shenjë e vazhdimësisë së Kishës Katolike në Shqipëri, e cila u ringjall nga shkrumbi, me rënien e diktaturës. Pranë tij, don Gjergj Simoni, që pavarësisht nga motet, mbahet i fortë, akoma dëshmitar okular i persekutimit të klerit, ai vetë i persekutuar, por edhe memorie historike pikërisht për meshën e parë pas komunizmit. Duke kujtuar atë meshë, don Gjovalini vuri në dukje se në këtë varrezë, fare pranë kapelës së sotme, u pushkatuan me e pa gjyq meshtarë e laikë katolikë, fajtorë sepse besonin në Zotin e në demokracinë, me bindjen se atë s’mund ta sillnin komunistët. Por ndërsa komunistëve u është harruar emri, ose u kujtohet për të keq, martirët lartohen në nderimet e elterit. E nuk janë dhuratë vetëm për Kishën Katolike shqiptare, nënvizoi don Gjovalini, por edhe për atë universale, që pasurohet kështu me dëshmitarë të mëdhenj të Krishtit. E sa e sa të tjerë, nën dhe në këtë varrezë, të afërm e të dashur edhe të atyre, që kishin ardhur sot në Rrmaj, janë shenjtorë për Zotin, të ngjashëm me martirët, sepse edhe ata vuajtën e hoqën nën diktaturë. Pasi i ftoi besimtarët të marrin pjesë në meshën e nesërme, meshtari i këshilloi ta njohin jetën e këtyre martirëve e ta marrin si shembull për të tyren.