Barkat e Noc Zefit si dhe Strehoi Cafo Beg Ulqinin
Me punë të ndershme, djersë dhe marrëveshje familjare shtohet ekonomia shtëpiake. Kështu edhe Noc Zefi, me ndihmën e vëllait të tij Gjonit, ia dolën të ngrisin standardin familjar, të shtojë grigjën e dhënve , të punojnë tokën, madje të blejnë edhe dy barka , pronar i të cilave ishte Noci, meqë i takonin si zot shtëpie ( kryefamiljar) që ishte. Sipas fjalëve të bashkebiseduesit tonë Zefit barkën e pareë“ Sllani” e ka blerë në kriporen e Ulqinit. Me këtë barkë, të cilën e ka drejtuar kapetani ulqinak në pension Hasan Karamanaga, ka trasnportuar deri në 200.000 kilogramë shalqi ( bostan ) nga fshatrat përreth lumit Buna për në Korçullë të Kroacisë. Kjo barkë fatkeqësisht përmbyset dhe mbytet në kthim nga Kroacia në grykë të lumit Buna e ngarkuar me tjergullat e Lush Mirëditës nga fshati Kllezën. Për fat të mirë ekipazhi i barkës Noc Zefi dhe kapidani Hasan Karamanaga shpëtuan.
Dr. Gani Karamanaga, djali i kapidanit të anijes “ Sllani” evokon këto kujtime për Noc Zefin: “Noc Zefi Shkrela me babin tonë ka pasur një miqësi dhe bashkëpunim të mirë. Atë e kemi pasur edhe si mik në shtëpinë tonë në Kala. Më kujtohet kur erdhi një herë dhe i tha babait: “ Kapidan, shtëpinë e ke të bukur, por nuk më pëlqen se në shtëpi hyni drejt prej rruge, për arsye se nuk keni oborr përpara..”Ai më kujtohet si një burr në moshë, me flokë gjysëm të thinjura, punëtor i madh, bisedues i mirë.Në barkën “Sllani” babai ishte kapidan, kurse Noci motorist dhe detar. Babai thonte se Noci shpejt e ka përvetësuar zanatin e detarit.Noc Zefi , sipas kallëzimit të djalit të tij të madh Zefit, pas pesë vjetësh blenë barkën e dytë me targa UL-6 me të cilën për shumë vjet ka trasnportuar mall në sasi deri në 150.000 kilogramë dhe ka lundruar deri në Dubrovnik .
Strehoi Cafo Beg Ulqinin
Noc Zefi ka pasur miqësi të ngushtë me figurën e njohur kombëtare Cafo Beg Ulqinin. Ai, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur Partia Komuniste në Mal të Zi e kërkonte Cafin e strehoi dhe e ndihmoi largimin e tij për në Shqipëri, në vitin 1953. Cafi, sipas rrëfimit të Zef Nocit, ka qëndruar gjatë në shtëpinë e tyre, në një kthinë pothuaj të padukshme të shtëpisë së tyre ku ishte vendosur paja e nusërisë së nënës së tij . “Për këtë fshehtësi , ne fëmijët, nuk dinim asgjë . Vërenim vetëm se Mrika, bashkëshortja e Gjon Zef Prençit- Shkrelit përmes dritares së kamufluar të kthinës dërgonte dikujt ushqimin. Nuk guxonim as të afrohemi aty pari edhe pse ishim kureshtarë të dinim se cili njeri qëndron aty. Sekretin e kësaj historie e mësuam pas viteve 196o, në kohën kur Cafo Beg Ulqini kishte dalë nga burgu. Cafi deri sa ndodhej në burg na dërgonte kartolina për Vitin e Ri me pseudonimin Dodë Binaku”, tregon Zefi.
Shembull i bamirësisë
Jeta dhe vepra e Noc Zefit është një veprimtari e tërë ku mishërohen virtytet bujare të malësorit. Ajo është shembull i dashurisë, respektit dhe bamirësisë shqiptare. I rritur dhe i edukuar në një familje me tradita kur e mori veten materialisht nuk ka lënë pa ndihmuar asnjë njeri në nevojë. Noci thonë nuk njihte lodhje. Ishte punëtor i madh, i pashëm, pedant, i dashur e komunikues dhe i thjeshtë. Për të gjitha këto që thamë dhe shumëtë tjera të pathëna ky burrë fisnik i maleve meriton të kujtohet dhe të nderohet.