“Art Club” shënoi Ditën Botërore të Librit me Orën letrare në Triesh
Art Club – Karvani i shkrimtareve vendas – Ora letrare ne Triesh
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka shënuar të premten Ditën Botërore të Librit me një orë letrare të mbajtur në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Triesh. Në orën letrare kanë marrë pjesë shkrimtarët: Ali Gjeçbritaj, Anton Gojçaj, Anton Gjuravçaj, Asllan Bisha, Hajredin Kovaçi, Haxhi Shabani, Ibrahim Berjashi dhe Zef Gjuravçaj, të cilët kanë lexuar pjesë nga krijimtaria e tyre për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit e pranishëm në këtë takim.
Takimi letrar është organizuar në kuadër të Karvanit të shkrimtarëve vendas, ku shkrimtarët anëtarë të SHAI “Art Club” do të vizitojnë shkollat shqipe në Mal të Zi. Ky projekt ka për qëllim që nxënësit të njihen me shkrimtarët shqiptarë dhe letërsinë shqipe që krijohet në Mal të Zi, të komunikojnë drejtpërdrejt me autorët, të nxisë te nxënësit dëshirën për t’u marrë me krijimtarinë letrare etj.
Me këtë rast, SHAI “Art Club” ka dhuruar 100 libra (38 tituj) nga botimet e saj për bibliotekën e Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – Triesh, si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të librave të bibliotekave të shkollave shqipe në Mal të Zi.
Ulqin, më 23. 04. 2016 SHAI “Art Club”