Shkreli: U nda prej nesh monsinjor Rrok Mirdita
Ishte ky lajmi pikëllues këtë javë nga një njoftim për mediat dhe për publikun nga Arkidioqeza Metropolitane Tiranë-Durrës. Lajmi na tronditi meghithëse kishim marrë vesh se gjëndja e tij shëndetsore nuk ishte aq e mirë, prap se prap nuk na e merrte mendja se Mons Miridta do të ndahej prej nesh kaq shpejt. Ky lajm i zi, shkaktoi hidhërim të thellë në radhët e të gjithë atyre që e kanë njohur Monsinjor Rrok Mirditën, nga komuniteti shqiptaro-amerikan ku ai ka shërbyer me përkushtim për pothuaj 30-vjetë, para se të emërohej nga Papa Gjon Pali i Dytë në vitin 1992 Arkipeshkëv i Durrës – Tiranë, por edhe nga shumë shqiptarë të gjitha feve anë e mbanë trojeve shqiptare që e kishin njohur dhe me të cilët kishin pasur kontakte, në radhët e të cilëve kishte lenë vetëm kujtime mbresëlënse për punën e tij si përfaqsues i lartë i Kishës Katolike, por edhe si shërbestar i popullit shqiptar pa dallim feje a krahine dhe Atdheut të tij.
Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe unë si bashkvendas, bashkatdhetar dhe bashkvuajtës — për një kohë edhe bashpuntor i tij në vitet e para pas ardhjes së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilin megjithëse larg me detyrë në Washington — mbajsha kontakte të rregullta me të. Si i tillë, ndjejë hidhërimin e thellë për këtë humbje të madhe për të gjithë ne, por sidomos për ata që e kanë njohur nga afër dhe në jetën e të cilëve ka lujatur rol dhe ka lënë mbresa të paharruara dhe të pashlyeshme. Nëqoftse më lejohet, për rolin e tij në jetën time dhe të familjes mjafton të përmendi se si bashkvendas dhe të njohur që ishim me të dhe familjen e tij, në vitin 1975 Dom Rroku pranoi me një shprehje miratimi, të ndërmjetësonte si “shkues” për fejesën me bashkshorten time Vitoren, që përfundoi në martesën që vazhdon për 40-vjet tani. Sot, por ndoshta edhe atëherë, mund të duket si diçka e jashtzakonshme për një meshtar që të shërbente si shkues, por i tillë ishte Mons Rrok Mirdita, i gatëshëm për të shërbyer, jo vetëm me shërbime e ceremoni fetare, por gjëndej edhe në fusha të ndryshme familjare dhe shoqërore. Unë dhe familja i jemi mirënjohës dhe përulemi me respekt në shënjë nderimi të thellë për rolin që ka luajtur në jetën tonë dhe të familjes.
Si rrjedhim, ashtu si edhe shumë shqiptarë, unë ruaj konsideratën më të madhe për punën dhe veprimtarinë fetare dhe atdhetare prej 50-vjetësh të Monsinjor Rrok Mirditës, qoftë në vendlindje në rrethin e Ulqinit, qoftë në Amerikë, qoftë më në fund edhe në Shqipëri, ku luajti rolin kryesor për ringjalljen e Kishës Katolike të martirizuar për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi i egër komunist i Enver Hoxhës, që kishte pasur në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, anëtarët e të cilit brutalisht i vrau, i burgosi dhe i torturoi deri në zhdukje. Me arrijtjen e tij në Shqipëri, Mons. Mirdita, përballet me një gjë gjëndje të mjerueshme shoqërore dhe fetare, me një vend që kishte mbyllur kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë me një vendim absurd, kishin shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe Zotin.
Si Arkipeshkëv i Durrës- Tiranë emërohet dhe shugurohet nga miku i madh i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i Dytë në fillim të 90-ave. Ndër veprimtaritë e tij të shumëta gjatë asaj periudhe, si drejtor i entit bamirës të Kishës Katolike, Caritas-it Shqiptar nga viti 1994 deri në vitin 2000, ai me vetitë e jashtzakonshme mendjeje e zemre që e dallojshin — ashtu siç vihet në dukje edhe në njoftimin e Arkipeshkëv i Durrës- Tiranë — Mons Mirdita siguron ndihma nga vende dhe institucione të ndryshme katolike anë e mbanë Europës, por edhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan, për t’i ardhur në ndihmë popullësisë së varfër në Shqipëri, por njëkohsisht edhe popullit shqiptar të vuajtur dhe të terrorizuar të Kosovës nga forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe të Millosheviqit gjatë dekadës së vështirë të 90-ave. Gjatë asaj periudhe, Kisha Katolike Shqiptare në New York kishte organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijera dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova.
Parardhësi dhe mbështetsi i Mons Rrok Mirditës në New York, Dom Zef Oroshi me rastin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptare në vitin 1962, pat deklaruar: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej. Këjo sot është një shkëndi e vogël që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë edhe votrat e errësueme në Atdhe. Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.”
Nuk ka asnjë dyshim, për ata që e kanë njohur dhe që kanë ndjekur jetën dhe veprimtarinë e Mons Rrok Mirditës, se në të vërtetë ishte Arkipeshvi i Durrës -Tiranë, i cili për fat të keq u nda prej nesh para pak ditësh, ai që “shkëndinë e vogël”, për të cilën pat folur Mons Zef Oroshi në vitin 1962 — Arkipeshkvi Rrok Mirdita ishte ai që shëndërroi, atë shkëndi të vogël në një “Dritë të Madhe”, dritë e cila sot me krenarinë dhe besimin e padyshimtë në pasurinë etnike të trashëguar nga të parët dhe në traditat fetare dhe kombëtare shqiptare, të gërshetuara me kulturën e shëndosh amerikano-perëndimore, më në fund, “shëndritë në votrat e errësueme të Atdheut”.
Kjo është merita dhe trashëgimia e Mons Rrok Mirditës, i cili me entuziazmin e tij pat sjellur një bashkpunim të zellëshëm e të frutshëm në komunitetin shqiptaro-amerikan duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë dhe bashkpunimit të këtij komuniteti dhe mbarë shqiptarëve në Shtetetet e Bashkuara, pa dallim. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha që Mons Mirdita me bashkpuntorët e tij arrijti të kapërcente kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe më në fund nën drejtimin e tij, ia dolën me realizimin e objektivit të lartë fetar e kombëtar, ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale të New Yorkut që sot është bërë jo vetëm qëndër fetare, por edhe një qëndër kombëtare me rëndësi e shqiptarizmit dhe e vëllazërimit midis shqiptarve të besimeve të ndryshme. I ftuar nga Papa Gjon pali i dyt, Mons. Mirdita pranon këtë thirrje the privilegj historik që veprën em madhe të filluar në Amerikë, t’a vazhdonte në Atdhe, për të filluar një agim të ri për Shqipërinë, siç pat shkruar një gazetë amerikane në atë kohë. Me transferimin e tij në Shqipëri, ai angazhohet për ringjalljen e Kishës Katolike duke ndërtuar, ndër të tjera, edhe Kishën Katedrale të Shën Palit Në Tiranë, edhe kjo një qëndër shërbimesh fetare dhe kombëtare për të gjithë shqiptarët, por një qendër kjo që Mons Rrok Mirdita e shëndërruar në bashkrendimin e veprimtarive të shumta në fusha të ndryshme bamirëse përfshirë, sipas njoftimit të Arkipeshkvisë, ” fushën e arsimit, atë shëndetësore, në mbrojtjen e fëmijëve, në mbështetjen e familjeve në vështirësi dhe në strehimin e të braktisurve përmes hapjes së shkollave fillore ( fillore, e të mesme), azileve, qendrave sociale, shkollave profesionale, qëndrave shëndetësore, dhe atyre për fëmijët e braktisur”, ndër të tjera.
Humbje e madhe e një udhëheqsi kishtar, i pajisur me cilësi të një prijsi të palodhur e i pa shkurajuar përball vështërsive, ia hyri punës me gjoks, me ndihmën e shumë përkrahsve ai kapërceu vështërsi të panumërta, këtu në Amerikë por edhe më shumë në Shqipëri. Unë, dhe besoj shumë të tjerë, do të ushqejmë dhe do të ruajmë, sa të jemi gjallë, mirënjohje për miqësinë, bashkpunimin e këshillat, por për më tepër për trashëgiminë e tij fetare, kulturore dhe kombëtare, trashëgimi që besoj se do të sjellë lulëzime dhe punë të tjera të mbara për Kishën Katolike në Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, në dobi të mbarë kombit. Jo vetëm Kisha Katolike, por bota shqiptare në përgjithësi, ka humbur një frymëzues dhe organizator të palodhur nismash jo vetëm fetare, por edhe kulturoro-kombëtare, gjthmonë në përputhje dhe në lartësimin e vlerave më të dalluara fetare dhe kombëtare. Unë dhe shumë të tjerë që e kemi njohur për së afërmi Mons Rrok Mirditën dhe me të cilin si indivdidë dhe si komunitet kemi kaluar nepër disa shtigje të vështira, por edhe të lumtura gjatë dekadave të fundit, e ndjejmë rëndë humbjen e tij. Si bashk-udhtarë nepër këto shtigje – vëllëzërve dhe familjes së tij më të gjërë — si pjesëmarrës në zinë që e goditi, u shprehim ndjenjajt dhe përdhimtimet tona më të sinqerta. Ai pushoftë në paqë dhe ju Zoti u forcoftë!
Frank Shkreli