Gjekë Gjonaj sjell librin më të ri “Bijtë e shqipes“
Ismet Kallaba
Para pak ditësh nga edicioni i Botimeve Fishta në Lezhë doli libri “Bijtë e shqipes” i autorit Gjekë Gjonaj. Libri është përmbledhje e artikujve publicistikë dhe shkencorë të autorit, por edhe i disa autorëve të tjerë, mbi personalitetet, ngjarjet e rëndësishme dhe tema të tjera nga fusha të ndryshme, që sipas Gjonajt përbëjnë “një pasuri të rëndësishme në ruajtjen e veçorive të identitetit kombëtar, etnik, të shqiptarëve në Mal të Zi dhe kudo që janë”.
Duke u nisur nga lënda që trajton, libri voluminoz me 416 faqe është ndarë në tetë kapituj.
Redaktor i librit është dr. Bahri Brisku, recensent prof. dr. Simë Dobreci, ndërsa ballina është punuar nga Marian Shkreli.
Për redaktorin e librit, dr. Bahri Briskun, në librin e tij autori na i sjell të plotë figurat e personaliteteve të shquara shqiptare në Mal të Zi, “që i kemi pasur ose i kemi midis nesh dhe atyre në mërgim, të cilët me veprimtarinë e tyre krijuese dhe kombëtare kanë lënë gjurmë të pashlyeshme dhe vlera të rëndësishme për t’u njohur nga të gjithë”.
Ndërsa prof. dr. Simë Dobreci, në recensionin e tij vlerëson ndër të tjera se me këtë libër “autori, mbi të gjitha, shlyen një ‘borxh’ ndaj kombit në tërësi, duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimin e tij kombëtar dhe intelektual, që e mban në vete çdo krijues”.
Gazetari, publicisti dhe studiuesi Gjekë Gjonaj është autor i gjashtë librave: “Prekë Cali, piramidë e kufijve të Shqipërisë” (monografi), “Njëmendësi shqiptare” (35 intervista me personalitete të shquara), “Gjurmëve të kohës” (përmbledhje shkrimesh publicistike), “Shqipet e maleve” (Jeta e shqiptarëve në zonat malore në Malin e Zi), “Identiteti etnolinguistik dhe etnokulturor i shqiptarëve” (recensione-vështrime) dhe “Bijtë e shqipes”.
Botimin e këtij libri e mundësoi Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.