Gjonaj: Banja e Pejës vend ideal për shërim dhe pushim
Banja e Pejës, e njohur si “ Ilixha” është një qendër mjekësore- rehabilituese tashmë në zë në të cilën kurohen sëmundjet e reumatizmit, sëmundjet neurologjike, traumatologjike, kardiovaskulare, dermatologjike, gjinekologjike dhe të ngashme. Ajo dihet në mbarë opinionin jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë se është shumë e njohur për cilësit e saja shëruese, duke iu falënderuar në radhë të parë burimeve të shumta të pashterrshmne si të ujit termo-mineral ashtu edhe të pelloidës ( baltës) gjithashhtu me veti të mëdha shëruese. Rehabilitimin dhe shërimin e këtyre sëmundjeve për çdo ditë e bën ekipi ( stafi) i plotë i mjekëve profesionistë me përvojë të gjatë, në mesin e të cilëve edhe specialist të fiziatrisë, nëpërmjet këtyre metodave: balneoterapsië, termoterapisë, elektroterapisë dhe kineziterapisë.
Kjo banjë gjendet 12 kilometra larg Pejës, rrëzë maisivit malor të Alpeve Shqiptare, në perëndim të Dukagjinit në lartësi mbidetare 560 metër. Në këtë vend të admiruar që nga kohërat e lashta në një hapësirë prej 26 hektarë tokë me sipërfaqe të gjelbëruar, të rregulluar bukur me parqe, shëtitore, infrastrukturë rrugore, lulishte e të tjera, ndodhet burimi i ujit termo-mineral me një kapacitet 19 litra në sekond, temperatura e të cilit është 46-49 gradë celzius. Këtë banjë të lashtë dhe këtë ujë të ngrohtë natyral bazuar në studmimet shëndetësore dhe zhvillimin e saj e kanë shfrytëzuar romakët e vjetër dhe osmanlinjtë ( turqit). Uji mineral natyral i kësaj banje me përbërje optimale minerale, me shije të jashtëzakonshme dhe balta shëruese janë ndër më cilësoret të kësaj natyre jo vetëm në Kosovë, por ato , siç thonë specialistët e kësaj fushë, e radhisin Banjën e Pejës ndër banjot më të njohura në Evropë , siç janë për shembull Karllovivari në Çeki, Vishnji në Francë dhe Zheleznovodsjava në Rusi.
Drejtuesja e kësaj qendre shëruese rehabilituese Albiana Shoshi thotë se në kuadër të saj ndodhen katër objekte në sipërfaqe prej 38 mijë metër katrorë,prej të cilëve aktualisht është në shfrytëzim vetëm stacioni për akomodim i nivelit të lartë “ Termal” me kapacitet prej 360 shtretër.” Të gjitha këto çfarë theksova u ofrojnë pacientëve ( qytetarëve nevojtarë) anë e kënd Kosovës e më larg shërim, çlodhje, freskim dhe relaksim gjatë katër stinëve të vitit”, shprehet Shoshi.
Pra, aplikimi profesional i të gjitha terapive në Banjën e Pejës te shumica e pacientëve që vijnë këtu nga anët e ndryshme të Kosovës dhe vendeve të tjera dukshëm e ka rritur rrezistencën e organizmave ndaj sëmundjeve të ndryshme.
Ramazan Ibroçi, veteran i hotelierisë nga Ulqini, para pak ditësh u kthye shumë i kënaqur nga Banja e Pejës. Në bisedën që zhvilluam me të në restorantin “ Ponte” në Ulqin mësuam se ai me djalin e tij Skenderin për herë të parë fundvitin që lamë pas kishin shkuar në Kosovë enkas në Banjë të Pejës për shërimin e sëmundjes së reumatizmit.
“Shërbimet që ofrohen këtu nuk i kam përjetuar në asnjë banjë, të cilat i kam vizituar më parë. Këtu pritja, vendosja, ofrimi i ndihmës shëndetësore, pastërtia, ushqimi, shërbimet e tjera dhe terapia janë të nivelit më të lartë. Çdo gjë që i ofrohet pacientit për shërim është në nivelin e duhur. Jam më se i kënaqur me të gjitha ndihmat mjekësore që më janë ofruar nga mjekët dhe nga personeli në terapi, dhe në të gjitha këndet e tjera të banjës. Nga përvoja ime e parë disaditëshe në Banjën e Pejës sinqerisht, pa hezitim mund të them, me bindje të plotë se është një ambijent mjaft i bukur, një lokalitet mjaft tërheqës dhe i përshtatshëm për shërim, për pushim dhe për rekreacion. Nuk mund të them asnjë fjalë të keqe, përveçse fjalë miradie për mikrpitjen e madhe dhe plotësimin e të gjitha kushteve, sepse çdo gjë është në nivelin e duhur. Kaherë kam dëgjuar fjalë të mira për Banjën e Pejës, kurse tani jam vërtetuar se ajo vazhdon të jetë vendi i preferuar dhe i përshtatshëm për vizitorë nevojtarë nga vende të ndryshme të rajonit, për çka nga zemra në emrin tim dhe të shumë pacienëve falënderoj të gjithë personelin dhe pronarin e saj të zellshëm”, thotë Ibroçi, duke mos pasur asnjë verejtje.
Besoj se të njëjtat apo përshtypje të përafërta pozitive me këto të Ibroçit kanë edhe shumë pacientë të tjerë të cilët e kanë vizituar qoftë edhe një herë Banjën e Pejës. Për hir të së vërtetës duhet thënë se shumica e pacientëve që e kanë zgjedhur për shërim këtë banjë nuk janë zhgënjyer. Përkundrazi kanë mbetur të kënaqur. Terapia ditore për pacientët e rregulltë është 25 euro që përfshijnë ushqimin dhe fjetjen.