Shqiptarët në Ulqin protestojnë kundër diskriminimit & arsimim në gjuhen e vet …Video

November 14, 2014   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

Albanci u Ulcinju protestuju zbog diskriminacije u obrazovanja-Ulqin, 14 nëntor – Shqiptarët në Malin e Zi kanë organizuar ditën e premte në Ulqin një protestë kundër diskriminimit në arsim me moto: “ Të protesotojmë për dinjitet, stop diskriminimit, duam të arsimohemi si shqiptarë”.

Nismëtari i protestës, gazetari Gëzim Ibroçi, tha se jo rastësisht ky tubim mbahet në ditën kur u mblodh Kongresi i Manastirit dhe Kongresi i Abetares, për të dëshmuar se shqiptarët në Mal të Zi si popull autokton duam të mbrojmë identitetin, se duam barazi dhe duam të na i respektojnë të drejtat tona elementare, të njohura me çdo konventë ndërkombëtare.

“Jemi shqiptarë dhe duam të arsimohemi si të tillë, nxënësve shqiptarë po u shkelen të drejtat e bashkë me ta edhe ne si prindër po diskriminohemi. Të bashkohemi rreth kësaj çështje, rreth të ardhmes së fëmijëve tanë, theksoi Ibroçi në porosinë drejtuar politikanëve shqiptarë në Mal të Zi.
Ibroçi përmendi bazën kushtetuese e ligjore në të cilën mbështeten kërkesat e shtruara.
Gëzim-Ibroci-Ulqin

Në këtë protestë u tha se nxënësit shqiptarë në Mal të Zi kanë shumë pak, për të mos thënë aspak apo të cunguara njësi mësimore nga identiteti kombëtar i shqiptarëve; gjuha amtare shqipe, edhe pse përdorimi i saj është i garantuar me ligj, nuk zbatohet në praktik nëpër të gjitha dokumentet shkollore, mbledhjet apo aktivitetet tjera në shkollë; politika dhe centralizimi ka lënë jashtë shqiptarët nga procesi, filluar që nga Ministria, drejtimi i institucioneve shkollore dhe ato vendimmarrëse; shkollat, në veçanti paralelet e ndara në zonat rurale ku mësojnë nxënësit shqiptarë, janë në gjendje shumë të keqe dhe nuk plotësojnë kushtet për zhvillimin e mësimit; dhe tekstet shkollore, në veçanti libri i historisë, është diskriminues dhe ofendues, e po ashtu ai i kulturës muzikore
Ibroçi theksoi se këto janë vetëm disa prej anomalive që rëndojnë arsimin e nxënësve shqiptarë në Mal të Zi, duke kërkuar që fëmijët e tyre, nxënësit shqiptarë të mësojnë si shqiptar, duke mësuar për historinë, këngët dhe kulturën kombëtare në tekstet e tyre shkollore, e që tekstet shkollore aktuale të zëvendësohen me botimet e Prishtinës deri në hartimin e teksteve të reja ku do ishin edhe shqiptarët pjesë e këtij procesi.

Me mesazhin e shkruar pjesëtarëve të tubimit iu drejtua kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Genci Nimanbegu, në të cilin thuhet: “Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve mbështet çdo aktivitet që ka për qëllim përmirësimin e situatës së shqiptarëve në Mal të Zi. Këshilli ka përpiluar kërkesat e veta në qershor të vitit 2014 për përmirësimin e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi dhe këto kërkesa janë dërguar në të gjitha adresat relevante. Gjithashtu edhe kërkesat tuaja janë të qarta dhe demokratike. Këto kërkesa të mbështetura me nënshkrime do të jenë obligim për përfaëqsuesit politikë shqiptarë në Mal të Zi, që t’i mbështesin dhe përcjellin Ministrisë së Arsimit, por edhe kjo ministri të ndryshojë rrënjësisht politikat e deritashme , duke inkuadruar praktika demokratike perëndimore.”

Në protestë përveç një numri simbolik të qytetarëve ishin të pranishëm edhe përfaqësues të subjekteve politike shqiptare, kryetari i Komunës së Ulqinit, dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fund të protestës u nënshkrua peticioni, i cili do t’u dërgohet të gjitha subjekteve dhe institucionec relevante shtetërore .

Koha Net

Gëzim Ibroçi u shpreh me këto fjalë:

Sot, 14 nëntor datën kur u mblodh kongresi i Manastirit, Kongresi i Abetares ,në Ulqin e shënuam këtë datë me tubim paqësor dhe demokratik, për të dëshmuar se kemi dinjitet dhe duam ta mbrojmë atë, se duam barazi, jemi popull autokton këtu dhe duam të na i respektojnë të drejtat tona elementare të njohura me çdo konventë ndërkombëtare e me çdo ligj njerzor.
Komentet dhe vlerësimet janë nga më të ndryshmet,dhe e ndiej obligim të sqarohem.
Dikush këtë numër që është tubuar sot e quan të vogël, por i përgjigjem se ky numër dje ishte më i vogël, sot është me i madh dhe do vazhdojë çdo ditë e më shumë të rritet , e sidomos do rritet nëse i lëmë anash dallimet politike, fetare e krahinore.
Komentet se kishte mundësi që të organizohet më mirë iu përgjigjem që duhet ta kenë parasysh se organizatorët kishin vetëm qëllime të mira, janë prindër vullnetar dhe dashamirë e atdhetarë, dhe jo institucione të cilëve iu bëjmë thirrje të punojnë në këtë çështje.
Shpresoj që mesazhi për politikanët shqiptar të mos keqinterpretohet. Si prindër fëmijët janë diçka e shenjtë që kemi, andaj kërkuam ti lëni ndasitë, u kërkojmë të bëheni bashkë për çeshtjen e arsimit dhe duam rezultate konkrete, ne populli juaj bijtë e bijat e të cilit jeni edhe ju ju mbështesim, jemi me ju.
Peticioni që filloi sot të nënshkruhet aktualisht ka 528 (14.11.14—18:00 h) mbështetës dhe nënshkrimi do vazhdojë edhe ditët në vijim. Nesër planifikohet që vullnetarët të gjinden në Krajë ,ku mbahet aktiviteti Dita e Gështenjës, ndërsa për ditët tjera do të lajmërojmë…
Edhe një herë falënderoj të gjithë ato që sot ishin aty. Pjesmarrja juaj dëshmoj që jemi në rrugën e drejtë dhe them që të gjithë ju jeni organizatorë dhe nismëtar e po ashtu vazhdimtar të çështjes që ka dy dekada që herë pas here potencohet.

Falenderoj të gjithë ato persona publik që përfaqësuan subjekte e institucione, politikanë, diasporën në veçanti atë në SHBA prej nga erdhën mesazhe mbështetjeje, e poashtu shoqatat dhe OJQ nga vendi.
Mbështetja publike nga Vetëvendosja na kurajon të presim për mbështetje në nivel të ministrive nga të dy shtetet shqiptare.
Faleminderit të gjithë mediumeve që na dhanë hapsirë duke transmetuar informacione tek publiku dhe lexuesi, qofshin ato të shkruara, vizive apo elektronike.
Falenderoj të gjithë ato persona që u angazhuan për posterin e protestës, lajmërimin tek njësia policore të aktivitetit, tek policia komunale, printimi i posterëve, fletushkave, peticionit, tabelave ngjitja dhe shpërndarja e tyre në tërë territorin e komunës së Ulqinit, zërimin profesional, xhirimin profesional, personat e angazhuar për sigurim, ato që lajmëruan dhe sollën dashamir për pjesmarrje dhe nënshkrim të peticionit etj etj.
JU FALEMINDERIT
Të nderuar vazhdojmë të gjithë bashkë, çështja e arsimit na përket të gjithëve, të kontribojmë të gjithë aq sa mundemi dhe nga pozitat që kemi.

Gëzim Ibroçi Facebook