Brikenda Rexhepi: Mos kishte qenë marrja, dy subjektet shqiptare në Ulqin nuk do të hynin në koalicion

November 5, 2014   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Djeka-Cungu-Abazovic E përbashkëta e udhëheqësve shqiptarë

Kokëfortësia dhe paaftësia për të komunikuar e debatuar shëndosh, pa rezultuar me vetëshkatërrim nëpër shtetet ku jetojnë. Tash veç mund të paramendohet se në çka do të shndërrohej një “AUTOCHTHONOUS” nëse i bën bashkë me një vend

Nëse heqim gjuhën e traditat, shqiptarët kanë një të përbashkët tjetër, e cila bashkimin eventual të tyre do ta shndërronte në një dështim epokal.

Për nga efekti kjo e përbashkët përbën të kundërtën e gjuhës dhe traditave – pra nëse këto dy të fundit janë paradispozita për të mbledhur një popull në një vend; e para përbën një alarm që çdokush të rrijë jo veç në shtet të vet po mundësisht në rajonin e mëhallën e vet.

Derisa diskursi në debate për shqiptarinë, bashkimin, patriotizmin, mëmëdheun, historinë… është kryesisht filozofik, me tendenca qoftë patetike, qoftë arrogante, çështja e shqiptarëve në rajon mund të thjeshtohet në disa momente kyçe, më pak historike e më shumë aktuale. Kjo për të nxjerrë në pah tendencat vetëshkatërruese të udhëheqësve politikë e institucionalë shqiptarë.

Nëse e llogarisim 1912-ën si vitin më të rëndësishëm historik të shqiptarëve, kur pas rënies së Perandorisë Osmane ata do të duhej të bënin diçka të veten, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë sa përbën triumf, aq edhe dështim të figurave udhëheqëse e patriotike shqiptare të asaj kohe. Është e dhimbshme sot të lexosh letrat e disa prej tyre për moskoordinimin (thënë më së buti) në lidhje me diçka që ka qenë aq shumë e rëndësishme dhe ka lënë aq shumë pasoja për kombin… dështimin për të bashkuar sa më shumë troje shqiptare brenda një shteti.

Fan Noli në vjeshtën e 1912-s ka kritikuar Ismail Qemalin e Hasan Prishtinën për dështimin që ta bëjnë Shkupin kryeqendrën shqiptare; Luigj Gurakuqi, në të njëjtin vit: “…faji është i të gjithë neve, sepse u lanë të ndërhyjnë fanatikët e Prishtinës, Shkupit e të Tetovës”; e nëntë vjet pas, Hasan Prishtina ka publikuar kujtime mbi kryengritjen shqiptare: “Koha e shenueme për kryengritje u afronte gjithnji. I shkrova Ismail Qemalit, m’u përgjigj me sot e me nesër e me premtime të thata… Në Prishtinë, Riza Gjakova dhe Isa Boletini më thanë se ‘ne nuk duam autonomi dhe nuk mund të dahemi prej osmanëve’… Në Shkup mbrritëm me 20 përqind të fuqisë që kishim në Prishtinë”.

Shkupi më 1912 ishte qyteti më i madh shqiptar – mes 50 mijë banorëve që e popullonin, më se 40 mijë ishin shqiptarë. Si qendër e madhe në të ishin vendosur një mori konsullatash dhe dilnin gazeta e qarkullonte shtyp periodik shqiptar. Sot e dini fare mirë se si duket ky qytet dhe në çfarë pozite janë shqiptarët që jetojnë atje.
Kjo nuk është thjesht vetëm e kaluara e shqiptarëve. Është e tashmja, dhe do të jetë e ardhmja, nëse ajo e përbashkëta e tyre e përmendur në fillim të këtij artikulli nuk do të ndërrojë.

Si një shqiptare nga Kosova, por me prejardhje nga Maqedonia, po ia nis me vendin prej nga po shkruaj, vazhdoj me atë prej nga kam ardhur, dhe pastaj me të tjerët ku kam miq e familjarë shqiptarë.

Ndarjet 1 – Aktualisht Kosova nuk ka institucione, sepse udhëheqësit e saj nuk po mund të merren vesh, ka më shumë se pesë muaj për krijimin e tyre. Nuk ka Kuvend. Nuk ka Qeveri. Derisa presidentja para së gjithash përfaqëson një shembull të zgjidhjes së imponuar nga jashtë. Një analizë e thjeshtë diskursi gjuhësor e nxjerr “ngërçin”, fjalën që karakterizon sot shtetin më të ri në Evropë, që çlirimin e Pavarësinë e ka fituar falë 12 mijë të vrarëve dhe mbi një milion të dëbuarve. Sot udhëheqësit politikë të saj shkelin mbi këtë fatkeqësi duke e bllokuar shtetin për shkak të interesave partiake, dhe thirren në patriotizëm duke mbushur xhepat me para.

Ndarjet 2 – Deputetët e dy partive parlamentare në Maqedoni, BDI e PDSH, rrihen mes vete nëpër komisione të Kuvendit, derisa shqiptarët mbesin qytetarë të kategorisë së dytë në këtë shtet. Lokalizimi i tyre në një pjesë të varfër të Shkupit (që nuk është kryeqendra shqiptare); diskriminimi thuajse në çdo aspekt të përditshëm jetësor; mospërmbushja e marrëveshjeve ndërkombëtare,… nuk vijnë si pasojë e nacionalizmit artificial maqedonas, sa si paaftësi politike e udhëheqësve për të përfaqësuar dhe luftuar për interesa të popullit.

Ndarjet 3 – Opozita në krye me PD-në ka pesë muaj që po bojkoton institucionin përfaqësues të popullit në Shqipëri. Një deputet i PD-së u godit me rrip nga një koleg i tij i PS-së, diku në korridoret e Kuvendit, në fund të majit. Kaq mjaftoi që përfaqësimi i popullit të mbetet gjysmak. Natyrisht përçarjet e thella mes forcave të mëdha politike në Shqipëri kanë zier me vite, ashtu që një rast banal ka kthyer çdo gjë mbrapsht. Opozita e akuzon PS-në se e ka shndërruar Kuvendin në një arenë ku kryeministri “nxjerr mllefet” e “opozita nuk dëgjohet”. PS-ja thotë që është duke e pastruar shtetin.

Ndarjet 4 – Ulqini për pak sa nuk ra në duart e DPS-së, partisë së Gjukanoviqit, në fillim të këtij viti. Përçarja e shqiptarëve brenda koalicionit udhëheqës e çoi Komunën në zgjedhje të jashtëzakonshme. Në janar të vitit 2014, DPS-ja i çoi të gjitha forcat e saj në Ulqin, për të dalë partia me më së shumti vota, në qytetin me së paku 75 për qind shqiptarë. Po t’mos kishte qenë edhe marrja, dy subjektet shqiptare Forca e Re Demokratike dhe Bashkë për të Ardhmen e Ulqinit, ndoshta edhe nuk do të hynin sërish në koalicion që të mos e lënë qytetin bregdetar në duart e Gjukanoviqit. Por kësaj radhe shumë më të dobët në përfaqësim në komunën shqiptare të Malit të Zi.

Ndarjet 5 – Nëntë subjekte të mbledhura në pesë koalicione i përfaqësojnë shqiptarët në Luginë. Ata nuk ia kanë dalë të çonin përpara kërkesat që kanë pasur në procesin e regjistrimit, duke e lënë popullatën shqiptare që jeton në këtë rajon të Serbisë as andej e as këndej – dikush ka marrë pjesë në regjistrim e dikush jo. Beogradit i ka mjaftuar të nxjerrë konkluzion se ka rënie të numrit të shqiptarëve. Kjo ka reflektuar te përfaqësimi i tyre në Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, i cili para regjistrimit ka pasur 29 anëtarë e tani i ka 15. Nëntë partitë, të cilat më shumë konsiderohen si parti lideri sesa elektorati, megjithatë e kanë pranuar Këshillin e përgjysmuar. Pluralizmi politik është një vlerë e madhe demokratike, por shqiptarët në Luginë në raport me Serbinë është më mirë të përqendrojnë energjinë e të konkretizojnë kërkesat me një vend.

Pa ndarje 6 – Në Greqi nuk ka parti politike shqiptare, ngase për këtë shtet të BE-së nuk ka as nuk ka pasur shqiptarë atje dhe Çamëria është term që nuk ekziston. Ka qenë interes i Evropës që në gjirin e vet të marrë një shtet që është nonstop i zhytur në kriza ekonomike dhe që pakicat nuk i pranon as si koncept.

E përbashkëta: Kokëfortësia dhe paaftësia për të komunikuar e debatuar shëndosh, pa rezultuar me vetëshkatërrim nëpër shtetet ku jetojnë. Tash veç mund të paramendohet se në çka do të shndërrohej një “AUTOCHTHONOUS” nëse protagonistët e mësipërm i bën bashkë me një vend.

Është edhe niveli tjetër i të përbashkëtës që u përmend më lart, e që ka të bëjë me Kosovën e Shqipërinë më shumë. Është hipokrizia patriotike e nacionaliste e protagonistëve të përmendur. Kosova i ka dy parti politike që kërkojnë bashkimin kombëtar – Vetëvendosje e Lëvizja për Bashkim – e Shqipëria ka një – Aleanca Kuq e Zi. Asnjëra nga to nuk ka ofruar deri tash ndonjë definicion të qartë të bashkimit. Por e thonë së paku.

Partitë e tjera, atë që e bëjnë në praktikë është betonimi i ndarjes, qoftë nëpërmjet kushtetutës e legjislacionit, apo interesave e orientimeve. Kur flasin, flasin për afrim të dy shteteve. Kur s’flasin, s’flasin kundër bashkimit (Përveç nëse Washingtoni a Brukseli ua kërkojnë). Po bëhen 15 vjet qëkur Shqipëria e Kosova kanë mundur të qëndisnin strategji të përbashkëta zhvillimore si dy fqinjë dhe të mos u shkruajë në ballë se janë bashkuar, nëse dikujt do t’i pengonte. Të koordinojnë prodhimtarinë në mënyrë që të mos ia bllokojnë mallrat njëra-tjetrës; Të dizajnojnë marrëveshje të zbatueshme… Pse p.sh. edhe Kosova, edhe Shqipëria duhet të prodhojnë patate, kur njëra mund të orientohet nga lakrat? Po të kishin zhvilluar udhëheqësit e “strategët” shqiptarë këndej e andej kufirit politika që për rezultat do të kishin mirëqenien qytetare, do të na kursenin së paku nga debatet filozofike për bashkimin.

Kosovën e Shqipërinë, por edhe shqiptarët në shtetet e tjera në rajon, sot i bëjnë bashkë vetëm qytetarët – njerëzit e zakonshëm që e kultivojnë miqësinë; përpiqen të hapin ndonjë biznes a OJQ; vijnë ose shkojnë për të kryer ndonjë shkollë; që dashurohen e martohen ose s’martohen… Këta mbesin lidhja e pashkëputshme, që e mban të gjallë mundësinë e bashkimit. Dikur, nëse do të kemi protagonistë të hairit.
Brikenda Rexhepi

Koha.net