Fotoreportazh e bërllokut në komunën e Ulqinit
Në Ulqin nuk mungon bërlloku asnjëherë, të cilin e gjen në çdo lagje dhe në çdo rrugë, duke u bërë kështu pjesë e përditshmërisë së banorëve të tij.Mjafton një ecje e shkurtër nëpër cilëndo nga rrugët e Ulqinit për të parë se mbeturinat gjenden gjithkund, madje edhe afër vendeve ku ushqehen njerëzit, kafebareve dhe restoranteve, afër barnatoreve, institucioneve qeveritare etj. Pos që autoritetet komunale nuk kanë punuar sa duhet që qyteti të jetë më i pastër, një pjesë të fajit për këtë gjendje e kanë edhe vetë qytetarët, të cilët edhe pse i dinë pasojat që sjell papastërtia, hedhin mbeturinat kudo. Banorët e pranojnë se nuk janë të kujdesshëm për mbajtjen e një ambienti të pastër, duke hedhur mbeturina vend e pa vend. Ndërsa disa prej tyre propozojnë që të formohet një njësi policore speciale, e cila do të merrte masa ndaj atyre që e ndotin ambientin.
Nga ana tjetër shtëpitë dhe oborret në Ulqin janë jashtëzakonisht të pastra, por jashtë mureve të oborreve duket shpesh ndryshe. Grumbuj qesesh plastike përplot mbeturina, shishe të zbrazëta plastike dhe kanaqe alumini, qese ushqimesh e gjëra tjera shpesh shihen të hedhura nëpër ambiente publike.
Të huajve, të cilët vijnë për herë të parë në Ulqin, shpesh u bien në sy dy gjëra: Mikpritja e popullatës vendëse dhe bërlloku i pranishëm kudo. Mbetet të shpresohet që vizitorët, në një të ardhme jo shumë të largët, të vazhdojnë të shijojnë mikpritjen dhe që bërlloku të mos u bëjë më përshtypje negative në Ulqin.
Autorja e këtyre fotografiave është zonja Zenepe Lika nënkryetare e komunës së Ulqinit e cila ka publikuar në internet një hartë me deponitë më të këqija ilegale në komunën e Ulqinit si dhe fotografi të shumta që ajo i paraqet.