Makinisti shembull – Portret: Smajl – Malo Malohoxha
Ulqini shtrihet buzë detit, dhe deti ka qenë gjithmonë damari kryesor i zemrës së tij, ashtu siç është aorta, ena e cila e furnizon me gjak zemrën, duke i dhënë njeriut jetën. Kështu edhe Ulqini, gjatë historisë së tij 2500 vjeçare, ka qenë dhe ende edhe sot është i lidhur me detin. Natyrisht, sot lidhja me detin zhvillohet në kushte të tjera, pasi që zhvillimi i turizmit si degë kryesore e veprimtarisë së jetës, kërkon edhe marrëdhënie të tjera.
Mirëpo, gjatë shekujve Ulqini ka qenë i varur nga tregtia, e cila është bërë me anije dhe barka të ndryshme, të cilat pak a shumë edhe u kanë takuar ulqinakëve. Tregtia ka qenë veprimtaria kryesore, e cila këtë qytet e ka bërë kaq të famshëm dhe kaq të njohur në tërë bregun e Adriatikut dhe të Mesdheut. Barkat ulqinake dhe ulqinakët, si dhe tregtia që e kanë bërë ata, kanë qenë të pazëvendësueshme për ekzistencën e shumë familijeve të Ulqinit.
Prandaj detaria ka qenë veprimtari që ka zënë pjesën më të madhe dhe më të rëndësishme në jetën e Ulqinit. Eksporti i mallrave të ndryshme të prodhuara te ne, si edhe importi i atyre që nuk i kemi pasur, ka sjellë zhvillimin e një tregtie të fuqishme, e cila ka qenë në dobinë e të gjithë qytetarëve të Ulqinit. Kështu ulqinakët kanë pasur një jetë më të mirë sesa ata në brendësi të vendit. Rrallë ka pasur ndonjë familije që nuk kanë pasur ndonjë pjesëtar të saj në det. Deti ka qenë shpeshherë “buk’ e gjak”, pasi që është naviguar në kushte të vështira, por deti dhe navigimi në det ka sjellë një jetë më të mirë, kështu që gjithmonë është luftuar për të fituar një vend pune, në ndonjë barkë.
Për barkat, detarët dhe detarinë ulqinake kanë shkrur shumë ulqinakë, por edhe të tjerët, të cilët janë marrë dhe ende merren me detari. Edhe unë kam shkruar, posaçërisht për kapedanë dhe detarë me nam nga Kalaja. Shumë personazhe të njohur nga fisi ynë janë marrë me detari, bile të rrallë janë ata që nuk kanë naviguar. Detin e kemi pasur dhe ende e kemi në gjen dhe gjak. Ende sot disa nga pjesëtarët e fisit tonë lundrojnë me anije të mëdha nëpër detra të ndryshëm. Shumë anëtarë nga familja jonë kanë qenë kapedana me nam.
Mirëpo, këtë radhë dua t’i shkruaj disa rreshta për një detar nga Ulqini, i cili ka lënë gjurmë të pashlyera në detarinë e qytetit tonë. Ka lundruar shpesh herë edhe me babain tim, kapedan Hasan Cano Karamanagën, kështu që nga ai, edhe i kam në kujtesë disa fjalë për këtë detar me nam, mbi aftësitë e tij si detar, njeri dhe makinist.
Fjala është për Smajl Malo Malohoxhën, i cili i takon asaj plejade të detarëve të cilet duhen të nxirren nga harresa. Babai im më ka treguar se Maloja ka qenë makinisti dhe mjeshtri më i mirë prej të gjithë atyre me të cilët ka naviguar ai. Më vonë, në bisedë me Malon, por edhe me detarë të cilët ende jetojnë sot, i kam vërtetuar këto fjalë. Ende edhe sot, kur bëhet fjalë për ndonjë mekanik i cili është preciz dhe i mirë, thuhet se qenka i mirë si me qenë Maloja.
Ai u lind në Ulqin më 1910, në Ranën tonë të bukur. Babai i tij është qujtur Aqif, kurse nëna Lutfije (Lufe), e lindur Hoxha. Në Ranë e kaloi fëmijërinë. Përveç të tjerëve, shokët e tij të fimijërisë anë qenë Muho Qiqri, kamarier i njohur dhe Vllado Strugar, profesor i gjuhës frënge. Një pjesë të djalërisë e kaloi në qytetin e Shkodrës, ku ka punuar në Fabrikën e duhanit. Edhe pse ka qenë djalë “dëshiri” (ka pasur dy motra: Sadeten dhe Mejremen-Shoren), heret ka filluar të punojë. Rrjedh nga një familje ulqinake me traditë detare. Në vitin 1939 u martua me Qamile Karagjozin nga Tivari i Vjetër. Babai i tij ka qenë detar si dhe gjyshi, emrin e të cilit e mbante. Pasi babai i tij ka punuar në detë në barka, shpesh ka ndodhur që rrallë të vinte në shtëpi, ashtu që barra e familjes i ka rënë që herët.
Maloja nga profesioni ka qenë automekanik me kualifikim të lartë. Më vonë jep edhe provimet ku specializohet për mekanik të motorëve të anijeve. Ka pasur aftësi dhe talent, kështu që ka pasur prirje për gjuhë të huaja. Ka zotëruar, më saktë, ka folur gjermaisht, italisht, frëngjisht dhe turqisht.
Si detar i ri ka punuar në barka që lundronin nëpër detin Adriatik. Vite me radhë ka punuar si automekanik në Kriporen e Ulqinit “Bajo Sekuliq”. Punësimi i tij i parë në një anije serioze ishte jahti “Nimet Allah”, që i takonte axhës së mbretit Faruk të Egjiptit. Kjo ka ndodhur para Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në vitin 1939, tre muaj pas martesës së tij.
Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, jahti “Nimet Allah” ishte i ankoruar në Francë, në brigjet Azure, në Nicë, Kanë dhe Monte-Karlo. Përveç Malos, në këtë jaht kanë qenë të punësuar edhe disa ulqinakë të tjerë, si: Muho Pulti, kuzhinieri detar më i njohur i Ulqinit, Memin Beci, si motorist, sikur edhe Smajli, Ganush Ishmi, Riza Çaushi, kamarier si ai, dhe të tjerë. Gjithësej ishin dhjetë marinarë nga Ulqini.
Tërë ekuipazhin ulqinak, pronari e ka dashur shumë, për shkak të punës korrekte, sjelljes së tyre për edukatë dhe kulturë që kishin. Tek ata ka pasur besim të madh. Ekuipazhi i anijes ishte i përzier. Kishte gjermanë, turq, italianë etj. Por, ulqinakët gëzonin një respekt të veçantë. Smajli këtu edhe filloi t’i mësojë gjuhët e huaja, pasi kishte prirje pët to. Jahti ishte zënë jesir, prandaj nuk i lejohej lundrimi. Gjithnjë qëndronte në port, ku edhe ndodhi me shpërthimin e luftës.
Gjatë qendrimit në port, ekuipazhi kishte mundësi të dalë nga anija në tokë. Mundeshin të largoheshin vetëm me leje të organeve kompetente ushtarake. Lufta gjithnjë përhapej dhe ulqinakët nuk kishin mundësi t’i kontaktonin familjet e tyre, fitesa ishte e pakët, nuk kishin mundësi t’u dërgonin para familjeve. Në Francë ishin të bllokuar për tre vite me radhë. Ushqimin e kishin të reduktuar, kështu që kanë ngrënë nga një thelë bukë për 24 orë.
Bashkëshortja e tij, Qamilja, e priti tre vite në shtëpi, duke jetuar me hankon Lufen dhe kunatën – Mejremen- Shoren. Ulqinakët në anije bënin një kërkesë për t’i liruar, që të kthehen në Ulqin. Me ndihmën e shtetit francez, dhjetë ulqinakët marrin leje dhe kthehen në Ulqin. Kthimi i tyre ishte një rrugëtim i gjatë, nga qyteti në qytet, duke kërkuar leje të veçanta nga komandat përkatëse. Ulqinakët në Kroaci i ka shpëtuar njohja e gjuhës gjermane e Smajlit, sepse duke pritur trenin në një stacion hekurudhor kishin qenë të likuiduar. Pas një udhëtimi të gjatë dhe shumë të rrezikshëm, më në fund arritën në Ulqin.
Ishte viti 1942. Smajli u punësua në Kriporen e Ulqinit, duke punuar në profesionin e tij si automekanik. Në vitin 1955, përsëri Maloja vendos të shkojë në anije tejoqeanike. Punësohet në anijene parë “Prenj” të agjencisë “Jugooceania” nga Kotorri. Kjo ka qenë një anijee tipit të vjetër, e cila punonte me qymyr. Pas kësaj anijeje, po në të njëjtën agjenci, Smajli punoi edhe në anije më bashkohore të asaj kohe, siç ishin: “Biokovo”, “Zeta”, “Moslavina” etj. Disa vite me radhë punoi në anijet tejoqeanike, duke udhëtuar rreth rruzullit tokësor disa herë. Më në fund largohet nga deti dhe lundrimet, “zhbarkohet” dhe punësohet në Ndërmarrjen Komunale të Ulqinit, ku ka punuar shef i autoservisit për disa vite me radhë. Në këtë detyrë del në pension, në vitin 1967.
Por edhe pse ishte në pension, falë njohjes së gjuhëvë të huaja, ka punar dhe disa vite në recepion të hotelit “Lido”, në Plazhin e Madh. Në vitin 1982 Smajl Malohoxha ndërroi jetë dhe është varrosur në Varrezat e Sallakut.
Koha Javore