Qindra karanfila me rastin e festës së Kurban Bajramit
Në natën e Kurban Bajramit, sot ditën e xhuma, Forumi Rinor i Xhamisë së Klleznës, për herë të parë të këtij lloji në qytetin tonë, organizoj kampanjën për nder të festës së Kurban Bajramit, ku u shpërndanë 200 karanfila dhe mbi 500 kartolina me mesazhe të të Dërguarit të Zotit Muhamedit a.s. me fjalë shumë domethënëse dhe motivuese.
Karanfilat dhe kartolinat u shpërndanë në disa pika të qytetit dhe në Anë të Malit, konkretisht në Katërkollë.
Me anë të këtij aktiviteti aktivistët dhe aktivistet e Forumit Rinor të xhamisë së Klleznës, treguan dhe uruan qytetarët e pranishëm dhe kalimtarët e rastit duke e ndarë së bashku gëzimin dhe festimin e kësaj feste madhështore, përmes ndarjes së karanfilave dhe duke përçuar përmes kartolinave mesazhet hyjnore dhe dashurinë që ka Krijuesi jonë ndaj krijesës njeri. Njëherazi duke përcjell edhe vlerat Islame si fe e paqes, tolerancës, dashurisë e lumturisë.
Disa nga mesazhet e shpërndara dhe shumë të mirëpritura nga qytetarët ishin edhe këto thënie të pejgamberit Muhamed a.s. i cili ka thënë:
“Më i miri në mesin e njerëzve është ai i cili është më i dobishëm për njerëzit!“ “Ai që nuk shfaq dashuri ndaj njerëzve, oti nuk do ta mëshiroj” “Nuk ka besuar në mua ai i cili fle i ngopur, kurse fqinji pranë tij është i uritur, e ky e di për të” “Dëshiro për të tjerët atë që dëshiron për vete”
Kjo kampanjë, ky aktivitet, mbase i thjeshtë por kuptimplotë, ngjalli interesim jashtëzakonisht të madh tek qytetarët e komunës së Ulqinit, shumë prej të cilëve përgëzuan Forumin Rinor për këto ide kreative dhe mesazhet inkurajuese.
Gjithashtu gjatë kësaj jave, dje, ditën e enjte, po ashtu kemi bërë shpërndarjen e 60 Shportave të Bajramit në 60 familje me nevojë në tërë territorin e komunës së Ulqinit.
Punët me të dashura për Zotin janë punët e vazhdueshme edhe nëse janë të vogla, andaj ne, shpresojmë në vazhdimësinë e punës dhe aktiviteteve tona në të mirë të qytetarëve tanë.
Në emër të Forumit Rinorë të xhamisë së Klleznës falënderojmë të gjithë donatorët dhe bashkëpunëtorët që ndihmuan realizimin me sukses të kësaj kampanje.
Gjithë besimtarëve të besimit islam iu urojmë festën e Kurban Bajramit.
Paçi shëndet, lumturi, dashuri dhe begati në familjet e juaja.
Me respekt.
Kryesia e Forumit Rinor të xhamisë së Klleznës
Me shumë Foto nga manifestimi në:
Xhamia Klleznes Ulqin – QINDRA KARANFILA ME RASTIN E FESTËS SË KURBAN BAJRAMIT.