Riçard Lukaj, pret në takim në shtëpinë e tij Zv.presidentin e SHBA-së, Xhozef Bajden

September 8, 2014   | Bota

Zv-presidenti Biden, mik në shtëpinë e filantropistit shqiptaro-amerikan

Richard-Lukaj-Joe-Biden

Gjatë qendrimit në shtëpinë e Richard Lukajt, zv. presidentit Bajden shoqërohej nga guvernatori Malloi, senatori Blumentall dhe personalitete të tjerë të rëndësishme

 

Nga Anjeza Bojku

Greniç, Kënektikat (Greenwich, CT) – Bankieri dhe filantropisti i mirënjohur shqiptaro-amerikan, Riçard Lukaj, pati mik në shtëpinë e tij në Konektikat zv. presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Xhozef Bajden (Joseph Biden, Jr.), më 20 gusht në një pritje private me qëllim mbështetjen e Shoqatës së Guvernatorëve Demokratë dhe guvernatorit të Kënektikatit, Den Malloi (Daniel Malloy).

Përveç zv. presidentit Bajden dhe guvernatorit Malloi, së bashku me stafet e tyre dhe ekipit të fortë të sigurisë, të ftuar ishin edhe senatori Riçard Blumentall (Richard Blumenthal), personalitete të tjerë të rëndësishme, disa drejtues të industrive të ndryshme, si dhe Miss USA, Nia Sançez.

Richard-Lukaj-Joe-Biden-2

Z. Lukaj e hapi pritjen duke falenderuar të ftuarit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti. Ai veçoi violinistin Frederik Banda, Mjeshtër i Madh, dhe kompozitorin Ilir Dangellia për interpertimin e tyre bashkë në violinë e piano, violinçelisten Gjilberta Lucaj-Gelaj per lojën e saj në çelo, fotografin e mirënjohur Fadil Berisha që mori përsiper shërbimet fotografike, si dhe ekipin e restorantit “Valbella” të cilin ai e cilësoi si një nga restorantet më të mira në Amerikë. Fjalët e tij – të lehta dhe serioze njëkohësisht – ia shtuan rehatinë atmosferës së pritjes e cila filloi pasdite pasi të ftuarit e shquar patën rastin të takonin të pranishmit dhe donatorët.

Richard-Lukaj-

Z. Lukaj tha në fjalën e hapjes: «Është vërtet një nder i veçantë për mua të jem këtu para një grupi miqsh dhe fqinjësh të shquar, për t’ju prezantuar mikun tonë guvernatorin Den Malloi dhe zv. presidentin tonë të nderuar, Xho Bajden, dy individë të cilët më bëjnë të ndihem krenar që jam amerikan».

Para se të prezantonte guvernatorin Malloi dhe zv. presidentin Bajden, z. Lukaj gjithashtu foli për fillimet e tij si emigrant shqiptar në Amerikë si djal i dy prindërve punëtorë të thjeshtë, të cilët ishin arratisur nga ish-Jugosllavia për arsye të shtypjes etnike dhe ekonomike ndaj shqiptarëve. Ai kujtoi se si prindërit e patën ushqyer me vlerat e punës, dashurinë për Amerikën duke e nxitur që të ndiqte me besim «Ëndrrën Amerikane», një koncept që mbetet ende shumë i rëndësishëm dhe konkret në jetën e z. Lukaj.

Richard-Lukaj-Joe-Biden-1

Zv. presidenti Bajden preku disa tema, përfshi këtu dhe sfidat brenda dhe jashtë ShBA. Ai ceku gjithashtu ngërçin politik në Uashington duke e përshkruar atë si një «përçarje të tmerrshme». Sidoqoftë ai e mbylli me një notë pozitive duke thenë se gjithçka bëhet për të qenë të bashkuar qoftë Kënektikati si shtet, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara si komb. Sërish me një ton konstruktiv e pozitiv ai përmendi shpeshherë faktin që njerëz si familja Lukaj janë ata që e veçojnë Amerikën nga e gjithë bota.

Nick-Zherka-Richard-Lukaj

Nik Zherka, manaxher i përgjithshëm i restorantit «Valbella», tha se ishte një nder të ishe pjesëmarrës në një pritje të një profili kaq të lartë që përfshinte zv. presidentin e ShBA-ve dhe guvernatorin e Kënektikatit, ndërkohë që dhe një i yni si z. Lukaj u veçua si shembull i suksesit të madh Amerikan.

«Gjatë fjalëve të tij mbi emigracionin, zv. presidenti Bajden preku faktin se Shtetet e Bashkuara janë një komb i ndërtuar nga emigrantët», vazhdoi z. Zherka, duke shtuar se, “Jam vërtet krenar që e njoh familjen Lukaj dhe shpresoj që sa më shumë të rinj shqiptaro-amerikanë të ndjekin hapat e Riçardit dhe të na çojnë sa më lart brez pas brezi.»

Kur zv. presidentit i bënë pyetjen më të zakonshme, se a kishte plan të konkuronte për president, ai u pergjigj «po» duke shtuar me shaka që me seriozitet do e konsideronte të konkuronte në Kosovë sepse atje ai kishte shanse të mëdha për të fituar. Me emocion ai vazhdoi të përshkruante vizitën e tij në Kosovë dhe pritjen e mbështetjen e ngrohtë që kishte ndjerë atje, çka e kishte bërë të ndihej si hero. Bajden ripohoi dhe shprehu respektin, afrimitetin dhe mbështetjen e tij për komunitenin shqiptar në disa raste gjatë vizitës se tij tek rezidenca e Lukajve.

Violinisti i shquar Frederik Banda, mbajtës i Urdhërit «Mjeshtër i Madh», i cili luajti disa perla shqiptare përfshi dhe «Lule Borë», veçoi sjelljen e ngrohtë të zv. presidentit Bajden gjatë përshëndetjeve me të ftuarit.

«Zv. presidenti u ndje aq mirë sa që u soll sikur të ishte në shtëpinë e tij. Gjatë fjalimit ai e theu protokollin zyrtar dhe u largua nga mikrofonët në mënyrë që të ishte sa më afër të ftuarve dhe t’u drejtohej atyre personalisht», tha z. Banda. «Kjo ishte sigurisht një shenjë rehatie e zv. presidentit dhe familja Lukaj duhet përgëzuar për krijimin e një atmosfere aq intime dhe të mrekullueshme», shtoi violinsti virtuoz.

Richard-Lukaj-Joe-Biden-3

Sipas kompozitorit Ilir Dangëllia, i cili luajti në piano, Bajden kishte njohuri të thella mbi shumë tema të rëndësishme, sidomos mbi politikën ndërkombëtare dhe emigracionin. «Ai i permendi shqiptarët në shumë raste gjatë fjalimit të tij dhe theksoi vlerësimin dhe admirimin e tij për etikën e punës dhe kontributin e komunitetit shqiptar në shoqërinë amerikane», shtoi z. Dangëllia.

Përshtypje të mirë pritja i kishte bërë edhe Martin Shkrelit, i cili është Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA). Z. Shkreli tha se, «Kam marrë pjesë në shumë aktivitete si një aktivist i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe si kryetar i KKSHA, por mund të them me gojën plot se ky ishte një nga aktivitetet më të bukura që bashkatdhetarët tanë kanë organizuar dhe marrë pjesë ndonjëherë.» Z. Shkreli shtoi se, «Aktiviteti madhështor te familja Lukaj, ku z. Bajden mori pjesë në kapacitetin e zv. presidentit të ShBA-ve, ndikoi pozitivisht në forcimin e mëtejshëm të lidhjes së komunitetit tonë me këtë figurë të rëndësishme botërore.»

Të pranishmit kaluan një ditë tepër të këndshme vere nën tingujt magjik të violinistit Banda, kompozitorit Dangëllia dhe violinçelistes Lucaj-Gelaj, teksa shijuan pije e ushqime speciale duke përjetuar kështu mikpritjen e rallë të familjes Lukaj.

Ky ishte aktiviteti i dytë që z. Lukaj organizoi këtë verë në shtëpinë e tij në mbeshtetje të miqve të tij në Uashington. Më 29 qershor ai organizoi një tjetër pritje për miqtë e tij në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongres. Ishin ftuar Senatori Kris Mërfi (Chris Murphy) nga Komiteti i Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit dhe Kryesia e Komitetit për Evropën (Committee Chair of Europe), Senatori Riçard Blumenthall i Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit dhe Kongresmeni Xhim Hajms (Jim Himes) i Komitetit të Zbulimit dhe Financës të Dhomës së Përfaqësuesve.

Z. Lukaj ka qënë aktiv për çështje të ndryshme për një kohe shumë të gjatë, duke kontribuar veçanërisht ndaj njerëzve në vështirësi në trojet shqiptare. Ai ka ndihmuar në themelimin e organizatave, institucioneve dhe fondacioneve që kanë vendosur standarte dhe që janë dalluar gjatë periudhave kritike në rajon për shqiptarët. Z. Lukaj është nderuar për punën e tij nga Republika e Shqipërise duke u përzgjedhur si një nga Konsujt e Nderit në Shtetet e Bashkuara, gjë që më vonë është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ai ka qenë ndër themeluesit dhe është tashmë Kryetar i Bordit të Universitetit Amerikan të Kosovës (American University of Kosova), i cili është partner me Institutin Tekonolgjik të Roçesterit (Rochester Institute of Technology) dhe bashkëpunon me institucione të tjera të mirënjohura arsimore për të ofruar shërbim të cilësisë më të lartë të arsimit privat në Europën Juglindore.

Kohët e fundit, z. Lukaj bashkëpunoi në themelimin e Aksionit për Nënat dhe Fëmijët e Shëndetshëm në Kosovë, në kujtim të vajzës së tij Adelina, organizatë që shpërndan pajisje dhe furnizime mjekësore të domsodoshme në Kosovë. Z. Lukaj ka qenë gjithashtu themelues i programit Hope Fellowship, një nismë e përbashkët me KKSHA (që z. Lukaj drejtonte në atë kohë) dhe USAID, që siguron trajnime menaxhimi për gratë e Ballkanit dhe organizon programe këmbimi me korporatat më të mëdha dhe organizata qeveritare dhe jo-qeveritare në ShBA.

Richard-Lukaj-Miss-USA

Z. Lukaj njëkohësisht ka qenë një promovues i zjarrtë i investimeve dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet Ballkanit dhe ShBA-ve. Ai ka drejtuar delegacione të shumta investitorësh dhe ka kontribuar në zhvillimin e konferencave të investimeve në ShBA dhe Europë. Z. Lukaj ka drejtuar ose ka marrë pjesë gjithashtu në vizitat e delegacioneve të grupeve të ndryshme të Kongresit, të ekipeve vëzhguese të OSBES-së, të vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve, të ambasadorëve të ndryshëm, në vizitat e Presidentit Bill Klinton (William Jefferson Clinton), të Kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg (Michael Bloomberg), si dhe personaliteteve të tjera që kanë vizituar rajonin.

Kur u pyet nga autorja për planet e tij për përfshirjen e tij në të ardhmen në rajon, z. Lukaj u përgjigj se, «Puna është ende e pambaruar. Ne kemi nevojë të rëndësishme të zgjidhim konflikte të ngrira në rajon më një strategji bashkuese për të siguruar më në fund një paqe të përhershme dhe të qëndrueshme, e cila do të rrisë mirëqenien. Ne kemi nevojë për të vazhduar përparimin e përmirësimit të qeverisjes, të shmangies së influencave të praktikave të korrupsionit klientelist si dhe shpërblimin e atyre figurave që janë të besueshme dhe shpëtimtare për popullin. »

Ai shtoi se, «Së fundmi, ne kemi nevojë të rrënjosim shpresën, krenarinë kombëtare dhe një botëkuptim pozitiv tek rinia, t’i japim atyre mundësi arsimimi institucional si dhe t’i ndihmojmë që të vleresojnë vlerat e traditave të tyre, të cilat do t’i hapin rrugën për t’u bërë qytetarë më të mirë dhe të gjithë shqiptarët të gëzojnë shekullin e tyre më të ndritshëm që nga koha e Qytetërimit Ilir.»

illyriapress