Gëzuar Vitin E Ri nga Familja Mbretërore Shqiptare
Të dashur bashkatdhetarë,
Deshiroj t’ju uroj nga zemra Gezuar Vitin e Ri 2014! Qofte ky nje vit i deshirave te realizuara!
Shqipëria do të vazhdojë të përballet, edhe në vitin që vjen, me sfida të një rëndësie jetike për të ardhmen e saj. Viti 2014 duhet të na gjejë të përgatitur dhe të ndërgjegshëm për potencialet dhe talentet që kemi, si dhe për perspektivën shpredhënëse që na jepet nga miqtë tanë europianë.
Në të vërtetë, vendimi per shtyrjen e marrjes së statusit kandidat në BE për Shqipërinë nuk duhet të shihet si një deshtim për popullin shqiptar, por si një vërejtje dhe thirrje ndërgjegjësimi ndaj politikës në tërësi. Është detyra e të gjithëve, megjithatë, të bëjmë përpjekjet maksimale për të merituar marrjen e këtij statusi, me bindjen që është një angazhim serioz, detyrues dhe i pandalshëm për ne.
Perspektiva e integrimit europian nuk duhet të na zbehë detyrat që na vë historia në lëmin delikat të respektimit të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në territoret e vendeve fqinje. Nëse zgjedhjet në Kosovë shprehën një frymë të lartë të vetëdijes kombëtare dhe klasës politike, e cila doemos duhet përshëndetur, problemi i Preshevës, për sa i përket të drejtave dhe lirive të popullsisë shqiptare atje, duket si i anashkaluar dhe i lënë pas dore nga aktualitetet politike të ditës në Tiranë e Prishtinë.
Gjithashtu, zbatimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit ende mbetet një problem akut për shqiptarët e Maqedonisë.
Nuk duhet harruar as çeshtja çame, e cila, në emër të marrëveshjeve ndërshtetërore për të përshpejtuar dhënien e statutit kandidat, bëhet shpesh, padashje, objekt negocimi dhe harrese mediatike.
Familja mbretërore shqiptare, e cila nderohet nga besimi që i shfaqin bashkatdhetarët tanë në këto treva, do të qëndrojë e gatshme për të dhënë kontributin e saj moral dhe material, në arritjen e një ekuilibri midis respektit të dinjitetit të çdo fqinji dhe ruajtjten e promovimin e të drejtave themelore të shqiptarëve të ndodhur në territore jashtë kufijve tanë.
Në këtë kuadër, dhe e vetëdijshme për misionin e saj historik, Familja mbretërore shqiptare do të vazhdojë pa ngurim të propozojë vizionin dhe alternativat e saj etike për një shoqëri të përparuar shqiptare në shërbim të të gjithëve.
Vërtet, gjate këtij viti u vu re një ndërgjegjësim qytetar i mirëfilltë i shqiptarëve, manifestuar kjo në ngjarje të rëndësishme të jetës së vendit, siç ishin zgjedhjet parlamentare dhe debati mbi çmontimin e armëve kimike siriane në vend. Kam shpresë se shqiptarët, edhe këtë vit që vjen, do të kenë pjekurinë për të kuptuar politikën e së sotshmes dhe perspektivat që ajo propozon, duke gjykuar me maturi dhe duke ndikuar, si nëpërmjet debatit publik, po ashtu edhe nëpërmjet institucionit të votës, në përpunimin e një strategjie të vërtetë progresi në shërbim të interesave publike madhore.
Duke patur parasysh këtë kontekst gjithpërfshirës, dhe megjithëse ruaj një konsideratë dhe një mirënjohje të thellë për emërimin tim në postin e këshilltarit pranë kreut të Shtetit, funksioni i cili kulminoi rrugëtimin tim personal dhe profesional në njohjen e administratës dhe shtetit, e gjej të volitshëm momentin për tu tërhequr nga kjo detyrë dhe për t’ju kushtuar tashmë vetëm rolit tim krejt të veçantë të kreut të Familjes mbretërore shqiptare.
Ky rol paraqet për Shqipërinë një avantazh. Ai i shërben gati ekskluzivisht imazhit, prestigjit dhe dinjitetit të një vendi me histori dhe tradita si i yni. Në këtë kuadër, Familja mbretërore shqiptare, megjithëse me mjete të pakta, ka zhvilluar aktivitete të shumta, duke i ofruar miqve tanë në të gjithë botën, një vitrinë sa më reale, por dhe sa më tërheqëse të një Shqipërie që meriton të njihet më mirë.
Gjatë vitit që po lëmë pas, kam përfaqësuar Familjen mbretërore dhe vlerat e historisë sonë të përbashkët, në shume evenimente me rëndësi. Me ftesë të princit dhe mjeshtrit të madh të Urdhërit Sovran të Maltës, isha i pranishëm në 900 vjetorin e themelimit të këtij institucioni shekullor humanitar, në bazilikën e Shën Pjetrit në Romë, mes shumë krerë shtetesh, familjesh mbretërore dhe Papës Benedikti XVI. Në mars, kumtova mbi mundësitë e investimeve të huaja në Shqipëri, në kuadrin e konferencës së investitorëve të Marmara Foundation në Stamboll, ku ritakova dhe miqtë e mij, princeshën Margarita dhe Princin Radu të Rumanisë. Në qershor, pata nderin të shoqëroj për homazhe në mauzoleun e Familjes mbretërore në Tiranë, një grup deputetësh dhe ministrash hungarezë, për të celebruar kështu miqësinë e vjetër dhe të vyer midis dy kombeve, aq simbolikisht të mishëruar nga figura e gjyshes sime, mbretëreshës Geraldinë. Në gusht, vëllazëria e vjetër shqiptaro-egjiptiane u rigjallërua me pjesmarrjen e Familjes mbretërore shqiptare në martesën e princit Muhamed-Ali, djalit të mbretit të fundit të Egjiptit, Madhërisë së Tij, Fuadit II. I shoqëruar nga e fejuara ime, Elia Zaharia dhe përfaqësues të familjeve historike shqiptare, u ftova të merrja pjesë në ceremonitë e 400 vjetorit të dinastisë së famshme Romanov. Së fundmi, pata nderin dhe kënaqësinë e veçantë të pres në vizitë, në fillim të këtij muaji, princin Karlo të Burbon-Dy-Sicilive, kre i Familjes mbretërore të Napolit, i cili erdhi në Shqipëri për të forcuar lidhjet midis dy familjeve mbretërore dhe për të celebruar bashkjetesën fetare ndër shqiptarë.
Në të gjithë këto aktivitete, përfaqësimi dinjitoz i trashëgimisë që mishëroj dhe i imazhit të Shqipërisë mbetet motivimi im parësor. Si shumë personalitete, ente dhe institucione që përpiqen në mënyrë të lavdërueshme për ngritjen e imazhit të vendit tonë dhe që meritojnë mirënjohje prej të gjithë nesh, edhe Familja mbretërore, në rolin e saj krejt të veçantë, përpiqet të nderojë dhe të lartësojë emrin e kombit dhe të Shqipërisë e cila është e mira jonë e përbashkët më e çmuar.
Vlerësoj sukses të përpjekjeve tona krijimin e Fondacionit “Mbretëresha Geraldine”, i cili që në hapat e tij të para restauroi plotësisht shkollën fillore në fshatin Gjalish të Matit dhe sot vazhdon të ndërhyje në shkolla të tjera të harruara.
Shqiptarë, duke ju siguruar për devotshmërinë time dhe të Familjes mbretërore ndaj të gjithëve, ju uroj, kudo që ndodheni, një Vit të Ri, të gëzuar, të mbarë, të paqtë e me suksese për ju e të afërmit. Qoftë një Vit i bardhë dhe i favorshëm për Shqipërinë !
Princi Leka II I Shqiptarëve