Ndotje alarmante e detit te Ulqinit nga Shqipëria
Banorët e Ulqinit: Mbeturinat nga Shqipëria kanë ndotur bregdetin
SHKODER – Mbeturinat nga lumi Buna ndotin bregdetin e plazhit Ada në zonën e Ulqinit. Prej disa ditësh, bregdeti që i takon Malit të Zi është mbushur me mbeturina në një gjatësi të konsiderueshme. Ndërkohë që mbetjet vazhdojnë të shtohen në këtë zonë, banorët kanë dhënë alarmin duke bërë publike situatën.
Mbetje të ndryshme, duke filluar nga shishet plastike për të vazhduar dhe me mbetje medikamentesh, pjesë makinash apo dhe pajisje elektro-shtëpiake, janë dëshmi e një ndotjeje ekologjike. Banorët e zonës pohojnë se kanë kërkuar që të ndërhyjë komuna e Ulqinit në lidhje me këtë problem. Rasim Kroni, banor i zonës, pohon se “ne kemi këtu pranë bizneset tona, të cilat po kërcënohen nga këto mbeturina.
Asnjë nuk vjen në një lokal buzë detit kur bregu është i mbushur me mbeturina. E kam pastruar dy herë pjesën pranë biznesit tim, por mund ta shikoni që sërish është i ndotur”. Sipas tij, rreziku shtohet, pasi mes mbeturinave mund të ketë dhe mbetje që mund të paraqesin rrezik. “Në breg luajnë edhe fëmijët. Ne nuk mund të lejojmë që të kemi probleme me shëndetin e fëmijëve tanë”, janë shprehur banorët e Ulqinit. Sipas tyre, këto mbetje vijnë nga pjesa shqiptare nëpërmjet lumit Buna.
Nisur nga situata e krijuar, ata kërkojnë që pala shqiptare të ndërhyjë urgjentisht. Pritet që përfaqësuesit vendorë të Ulqinit të bëjnë një reagim në lidhje me këtë situatë, e cila është përsëritur edhe para dy viteve. Në atë kohë u bë shumë zhurmë nga malazezët, të cilët kërkuan që qeveritarët shqiptarë të merrnin masa të menjëhershme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)