Doli nga shtypi numri 39 i revistës “Buzuku”

July 29, 2013   | Shtypi / Mediji

Ulqin – Revista “Buzuku” e cila deri tani është botuar si organ i Shoqatës “Don Gjon Buzuku”, në të ardhmen do të dalë si revistë e pavarur. Kryeredaktori i saj, Simë Gjon Dobreci, i njofton lexuesit se prej këtij numri (39), “Buzuku” “del si botim privat, me nji shkronjë ma tepër në emën t’revistës”.
Revista Buzuku-Ulqin

Ai sqaron se për botimin e katër numrave të fundit të kësaj reviste, nuk ka pasur asnjë ndihmë financiare nga Shoqata “Don Gjon Buzuku”. Numri i ri i kësaj reviste vazhdon fizionominë e numrave të mëparshëm,  duke u marrë kryesisht me probleme të identitetit të shestanasve, por edhe me çështje të tjera që lidhen me shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë.

Në këtë numër është botuar artikulli i Gjokë Dabajt “Të shkojmë mirë njëri me tjetrin”. Drejtori i revistës “Jeta Arbëreshe”, Agostino Giordano, ka botuar artikullin “Turqit, të përzënë ka dera, rihyjnë ka dritësorja”. Rubrika “Përvjetor” i kushtohet 310-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, për të cilin ka shkruar Paul Tedeschini. “Buzuku-b” sjell po ashtu edhe tekstin dhe listën e nënshkruesve të Peticionit të intelektualëve kundër rishikimit të historisë nga turqit. Në artikullin e tij, arkeologu Anton Lulgjuraj shkruan për zbulimin e tri kishave të reja në Shas gjatë gërmimeve të fundit arkeologjike. Nga shtypi i huaj është botuar artikulli “Diskriminimi i shqiptarëve në Greqi”.

Një artikull tjetër që lidhet me përvjetor është “Konstandini i Madh në kontekstin dardan dhe Dardani” i prof. Dr. Jahja Drançollit. Në këtë numër të revistës “Buzuku” janë botuar artikujt mbi konferencën shkencore “Masakra e Tivarit 1945”, të organizuar nga Këshilli Nacional i Shqiptarëve në Malin e Zi, dhe përurimi i librit me përmbledhjen e kumtesave nga konferenca shkencore “Kraja me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve”. Këtij botimi i kushtohet edhe artikulli i prof. Dr. Hajrullah Koliqit “Përmedore e kujtesës historike të Shestanit dhe të Krajës në tërësi”. Po ashtu raportohet mbi kremtimin e Ditës së Mësuesit, përurimin e librit të dr. Bahri Briskut “Këngë popullore të shqiptarëve në Mal të Zi”, përurimin e monografisë “Shkolla në Krajë 1929-2009” të Ali Gjeçbritajt dhe monografisë mbi Petro Nini Luarasin, të përgatitur nga studiuesi Alfred Uçi.

Në rubrikën “Diaspora” është publikuar artikulli mbi kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga shqiptarët në Nju Jork,si dhe për ndihmën e mërgimtarëve nga Amerika për Shtëpinë e Shëndetit në Ulqin. Kryeredaktori i revistës “Buzuku-b”, Simë Gjon Dobreci, shkruan mbi traditën e daljes në majen e Rumisë. Prim. Dr. Gani Karamanaga sjell artikullin mbi “Principet e përdorimit racional të antibiotikëve”, kurse në rubrikën “Arsim”, Mikel Gojani flet  për 115-vjetorin e shkollës shqipe në Zllakuqan të Klinës.

Krijuesja e re, Flutur Mustafa, prezantohet me prozën “Rrëfim i birit Ulqin”. Revista mbyllet me dy letra të lexuesve, ku njëra flet mbi traditën e daljes në Rumi, kurse tjetra mban titullin “Dueje gjuhën tane”.

 

Kohapress