Dita e Komunës së Ulqinit – Fjalimi i kryetarit Cungu + Foto
Fjalimi i Kryetarit Cungu me rastin e Ditës së Komunës së Ulqinit
I nderuari Kryetar i Kuvendit, të nderuar ministra, deputetë në Parlamentin e Malit të Zi, të nderuar përfaqësues të korit diplomatik, të nderuar kryetarë të komunave, të nderuara këshilltare e këshilltarë, të nderuar mysafirë, zonja e zotërinj, të nderuar miq, të nderuar qytetarë të Komunës së Ulqinit.
Festa e komunës është e shtuna e parë në muajin prill, që simbolikisht shënojmë përfundimin e mbledhjes së ullinjve, daljen e detarëve në det dhe fillimin e sezonit turistik. Ullishtarët tonë kanë pasur shumë punë e madje akoma nuk e kanë përfunduar të gjithë mbledhjen, sepse sezoni i ullinjëve ka qenë ndër më të begatat në disa dekadat e fundit. Dëshirojmë dhe punojmë për atë që edhe ky sezon turistik të jet gjithashtu i suksesshem.
Të nderuara zonja dhe zotërinj!
Jemi dëshmitarë të krizës ekonomike globale e cila në periudhën e kaluar ka përfshirë këto hapësira, Malin e Zi, e pa dyshim që nuk e ka anashkaluar as qytetin tonë. Pa marrë parasysh këtë, vlerësoj që nuk kemi qëndruar duar kryq duke pritur ditë më të mira dhe me një angazhim maksimal, gjatë 18 muajve të kaluar, nuk e kemi humbur kohën kot.
Presim që këtë vit të fillojë konsolidimi i situatës financiare në Komunë dhe në ndërmarrjet publike. Komuna e Ulqinit gjatë është duke e pritur fillimin e zhvillimit,por jena te vetedijshem se ne i kemi potencialet më të mëdha zhvillimore të cilët janë të njohur në të gjitha dokumentet zhvillimore strategjike të shtetit.
Ka qenë iluzore të pritet progres në realizimin e projekteve zhvillimore strategjike pa dokumentet e planifikimit hapësinor. Prandaj gjatë tërë kohës kemi punuar në ato dokumente. Në fazën përfundimtare është hartimi i Planit Strategjik të zhvillimit të Komunës së Ulqinit deri në vitin 2018, Plani hapësinor urbanistik i komunës, kurse në vitin e kaluar kemi miratuar 19 dokumente të planifikimit hapësinor dhe janë duke u përgatitur edhe 22 dokumente të rinj planifikuese. Deri në fund të vitit 2014 komuna e Ulqinit do të mbulohet tërësisht me dokumente planifikuese. Në bazë të kushteve urbanistike e teknike të lëshuara në Ulqin momentalisht punohen 83 projekte dhe shpresoj që deri në fund të vitit do të dyfishohen.
I kemi filluar aktivitetet për zgjidhjen e problemit më të madh të qytetit tonë – problemit të kanalizimit dhe trajtimit të ujërave të zeza. Për këtë qëllim KFW banka e ka përkrahur Komunën e Ulqinit për studimin e fizibilitetit për furnizimin me ujë, transportin dhe trajtimin e ujërave të zeza, me vlerë mbi 487.000 Euro. Kompania Gjermane Dahlem tashmë e ka punuar projektin e Studimit. Punimi i Studimit të fizibilitetit është parakusht për marrjen e kredisë prej mbi 24.000.000 Eurove nga KFW Banka, me të cilat, natyrisht në një periudhë prej disa vitesh, definitivisht do të zgjidhet edhe ky problem.
Deri në fund të qershorit do të përfundojë projekti për sistemin e kanalizimit për vendbanimet Braticë, Kodra, Mali i bardhë dhe Totosh.
Ka filluar punimi i Studimit lokal të lokalitetit për Zonën e biznesit në Krythë në sipërfaqe mbi 27 ha dhe janë përgatitur një sërë masash për nxitjen e biznesit dhe krijimin e kushteve për investime të rëndësishme të investitorëve të vendit dhe të huaj. Edhe para punimit të Planit të zonës së biznesit, duke ju falënderuar angazhimit tonë dhe masave nxitëse të Qeverisë, tashmë kemi kontakte me investitorët të cilët kanë shprehur gatishmëri që të investojnë në atë zonë.
Sezonin e ardhshëm turistik do ta presim me deponinë e re sanitare, me automjetet e reja për bartjen e mbeturinave, me segmentin e ri të rrugës prej Katërkollës deri në Krythë, me ujësjellësin rajonal tashmë të përfunduar.
Pas gati dy dekadash Komuna e Ulqinit ka filluar të beje ekspropriime të tokës me qëllim të ndërtimit të objekteve të infrastrukturës. Në këtë mënyrë, në bashkëpunim me Drejtorinë për komunikacion, sigurojmë kompletimin e infrastrukturës përcjellëse dhe rrugët shtesë të urës së re mbi Port Milenë, me të cilën gjë krijohen kushtet që kah fundi i këtij muaji të hapet ky objekt kapital i komunikacionit, i cili duhet të shmangë kolonat e gjata të automjeteve në drejtim te Shtojit dhe të krijojë kushte për zhvillimin e turizmit në pajtim me Master planin. Sipas dinamikës së planifikuar po zhvillohen edhe punimet në etapen e dytë të rrugës Ulqin – Sukubinë, e cila gjithashtu do të përfundojë para fillimit të sezonit turistik. Njëkohësisht do të rregullohet edhe qendra e Katërkollës dhe do të bëhet rindërtimi i rrjetit të ujësjellësit, e për këtë qëllim Komuna e Ulqinit do të investojë 250.000,00 Euro shtesë. Para fillimit të këtij sezoni turistik pritet edhe përfundimi i fazës së dytë të elektrifikimit të rrugës magjistrale Ulqin – Adë deri në qendër të Shtojit, projekt me vlerë afer 200.000 Euro.
Duke ju falënderuar donacionit të USAID – it në fazën përfundimtare është ndërtimi i byrosë së qytetarëve në komunë si dhe rrjetëzimi i të gjitha vendeve të punës. Kjo është meritë e Byrosë për integrime Europiane, përmes të cilëve janë duke u realizuar edhe 6 IPA projekte.
Të nderuara zonja e zotërinj!
E gjitha kjo tregon që edhe përkrah vështirësive ekonomike dhe vështirësive të tjera, çfarë do të ketë me siguri edhe në të ardhmen, këtë qytet e pret një e ardhme më e mirë dhe më e begatë, natyrisht nëse jemi këmbëngulës në atë drejtim dhe nëse angazhohemi të gjithë, duke filluar nga qeverisja lokale,Qeveria e Malit të Zi dhe të gjithë qytetarët.
Në fund edhe një herë ju uroj ditën tuaj, ditën e Ulqinit tonë, ju dëshiroj fat dhe shumë suksese në periudhën e ardhshme, kurse mysafirëve tanë qëndrim të këndshëm në Ulqin.
Ju faleminderit.
Opština Ulcinj / Komuna e Ulqinit
Tel: +382 30 412 050
Fax: +382 30 412 413
Adresa: Bul. Skenderbeu bb, 85360 Ulcinj, MNE