Bahri Brisku – Letërsia shqipe në Mal të Zi (2) – Shkrimtarë me origjinalitet krijues
Krijuesi nga Ulqini, i cili është marrë me krijimin e vlerave letrare për fëmijë, është Hajro Ulqinaku (1938). Ky krijues, me veprat e tij të shumta, bën pjesë në grupin e shkrimtarëve më të spikatur për kuantitet dhe kualitet të letërsisë mbarëkombëtare – shqipe.
Hajro Ulqinaku me krijimet për fëmijë të të gjitha moshave është marrë që në moshën e re. Deri tani ka botuar për fëmijë këto përmbledhje dhe romane: Fëmijët e detit, Margaritarët e zez, Kolovajza dhe florinjt, Ani Beni ani, Çelësi i artë, Mbrëmje pulëbardhash, Thesari i piratëve, Ligji i detit, Gjiri i shpresës, Ishulli i gjelbërt, Limani i qetësisë, Barka me vela dhe shumë përmbledhje e romane tjerë që i dedikohen botës letrare të fëmijëve.
Në bazë të botimeve të deritanishme të shkrimtarit Hajro Ulqinaku pa hamendje ky cilësohet për krijuesin që shtjellon në opusin e krijimeve me motive të qëlluara nga hapësira e bregdetit dhe detarisë, të cilat krijime ishin dhe janë deficitare nël letërsinë fëmijërore në hapësirën mbarëkombëtare shqipe.
Shkrimtari Hajro Ulqinaku që në vitin 1990 jeton kryesisht në Ulqin. Gjatë këtij intervali kohor, ai është marrë me botime publicistike nga jeta e detarëve, peshkatarëve dhe qytetarëve tjerë nga Ulqini. Prej këtyre veprave që ka botuar, peshë të veçantë shkencore paraqet Fjalori i detarisë së ulqinakëve.
Shkrimtari Hajro Ulqinaku me veprat e veta cilësore, ka arrit që të formojë personalitetin individual krijues me forcën e veçantë sintetizuese të krijimtarisë artistike. Ky arrin që ta zbërthejë të bukurën tipike në atmosferën e jetës fëminore. Te ky shkrimtar, hetohet një larmi e madhe e individualitetesh krijuese.
Pasuria e madhe e këtij shkrimtarit, në fushën e horizontit krijues të letërsisë, ka depërtuar thellë në imagjinatën e moshës së re. Kjo cilësi e mrekullueshme e Ulqinakut, ka kontribuar dukshëm që ky si krijues të rreshtohet ndër të parët e krijuesve shqiptarë të këtij zhanri.
Muharrem E. Hardolli, historian që ka shkruar pesë monografi për kranjanët dhe shqiptarët tjerë në Amerikë. Ky shkrimtar me plotë të drejtë konstaton dëmet që na sjell migrimi. Kraja është krahinë e bukur dhe e pasur me një mori resursesh natyrore. Ndaj, Muharremi dëshiron që mërgimi i shqiptarëve të ndërpritet se shkon në dëm të kombit. (Më 1980 në Krajë kishte 522 nxënës, kurse tani kanë ngelur 180 nxënës). Të dhënat e tija janë rrëqethëse dhe shokante për të vetmen arsye që ne jemi një popullatë që kemi nevojë që të shumohemi dhe të bëhemi faktor në vendin e vet…
Muharrem Hardolli detalisht na vë në dukje ritet dhe zakonet shqiptare, të cilat nevojitet që të vazhdojnë furishëm aplikimin e tyre, kudo që vendosen shqiptarët e Krajës së bashku me të tjerët. Ky me këto monografi cilësore, i ka dhuruar një kontribut me peshë të madhe shkencës. Në letërsinë e shqiptarëve në Mal të Zi, kontribut të veçantë ka dhënë Fran Camaj (1949). Ka mbaruar fakultetin – Gjuhë dhe letërsi në Prishtinë më 1971. Ka punuar në gjimnazin e Tuzit deri më 1980. Pastaj ka punuar në RT dhe në TVCG (emisioni në gjuhën shqipe). Deri tani ka botuar tri romane të cilët opinioni dhe kritika letrare i ka pritur mirë, duke i përcjellur me epitete të larta vlerësuese. Pastaj, Frani ka botuar edhe një vepër publicistike Kohët flasin. Kjo është një vepër interesante e gërshetuar me të dhëna dhe ndodhira bashkëkohore.
Shkrimtari bashkëkohor Fran Camaj me romanin Mëshira e pamëshirshme botuar më 2008, ka arritur që të shënojë një pjekuri të veçantë në shkrimet e tija. Në këtë prozë, me mjeshtri artistike, shtron ndjenja të pastra kombëtare, forcon individualitetin krijues dhe ngritën vlerën artistike të letërsisë në përgjithësi. Krijimet e Franit janë ngushtë të lidhura me problemet dhe hallet e shqiptarëve. Ky shkrimtar në krijimet e veta i vë në veprim imagjinatën dhe fantazinë e pasur.
Shkrimtarit Shaban Osmani (1945- 1988) nga Lisna Bora e Ulqinit. Ka mbaruar Fakultetin Filologjik në Beograd më 1973. Përmbledhja e poezive të tija u botua mbas vdekjes. Ky përveç librit ”Një yll pranë detit” që u botua nën përkujdesin e prof.Dr. Ymer Nezirit, Shabani ka botuar edhe një tekst me këngë popullore të Ulqinit. Veçori dalluese e vlerave poetike të Shaban Osmanit, është fakti i gërshetimit metaforik të poezive të tija. Këto vargje poetike, janë të përbëra kryesisht me nga një strofë, por ka disa prej tyre që disponojnë rimë të pasur. Pjesa dërmuese e këtyre krijimeve poetike, autori i ka kushtuar vendlindjes dhe Bunës, pranë të cilës ndodhet katundi Lisna Bora. Krijimet e tija shpërthejnë përjetime të thella dhe janë të gërshetuara me një pasuri të larmishme të figurave stilistike. Vepra e Shaban Osmanit – Një yll pranë detit paraqet një pasuri të çmueshme poetike për letërsinë kombëtare. Këto vjersha i përshkon një frymë moderne dhe surrealiste. Me këtë vepër poetike na del në pah që çdo vepër ar , është fryt jo vetëm i njohjes së jetës, të talentit dhe të kulturës, por edhe i botëkuptimit, bëhet burim i qëndresës.
SHKRIMTARI DHE KRITIKU LETRAR ANTON GOJÇAJ (1966)
Anton Gojçaj ka lindur në Vuksanlekaj, Tuz. Këtu ka mbaruar shkollën fillore, kurse të mesmen në Zarë, Kroaci. Studimet për Letërsi dhe gjuhë shqipe i ka mbaruar në Prishtinë ku edhe ka magjistruar. Ka punuar në gazetën Koha javore. Tani është këshilltar pedagogjik për gjuhë shqipe.
Anton Gojçaj është një prej krijuesve më të frytshëm në Mal të Zi. Shkruan poezi, proza merret edhe me kritikë letrare. Ka botuar Qengji i harruam në mal, Herojt nacional në letërsi dhe Passio, roman, Proza letrare e Anton Harapit dhe Shija e librit (interpretim). Vepra prozaike e tij – Ndërmjet kapakëve, është një përmbledhje e prozave të tija që e cilëson një ndër prozatorët me aftësi të madhe vrojtuese. Ky posedon një invencion të fantazisë dhe të gjetjeve cilësore të rrëfimeve. Antoni, me një stil të butë, arrin që të na njoh me misteret e artit letrar të kulturës së lashtë nacionale dhe me veprën e madhe të letërsisë botërore që është Bibla. Anton Gojçaj disponon me një vizion të spikatjes së aftësive permanente hulumtuese si në planin e ideve si dhe të tematikës së krijimeve.
Shkrimtari Anton Gojçaj, posedon origjinalitet krijues, i cili dukshëm e dallon nga krijuesit tjerë. Kjo veti e tija na dëshmon që sa më i fuqishëm të jetë individualiteti krijues, aq më shpejt arrin krijuesi te shkalla më e lartë e pasqyrimit të realitetit në vepër.
Koha Javore