Mr Dritan Abazoviq: TEST PËR PAKICA

October 25, 2012   | Opinione

Mbas përfundimit të zgjedhjeve pritja e madhe është kthyer në realitet. Dikush është i kënaqur, dikush është i pakënaqur, por, në thelb, vetëm tek populli emocionet janë të përziera. Është një përqindje e vogël e qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia politike, që nuk dëshiron ndryshime, qoftë edhe brenda “qeverisë së kontinuitetit”. Këtë e treguan dhe zgjedhjet. Rreth 55% e popullsisë me dëshirë të vet votuan diçka tjetër, e 45% votuan për vazhdimin e këtij kontinuiteti dhe atë jo plotësisht me ndërgjegje të vet (presionet, shantazhet, kërcënimet…). Mali i Zi duhet të niset në një rrugë tjetër, duhet ndryshe nga deri tani, më suksesshëm dhe më efikas. Përgjegjësia e pjesëtarëve të ardhshëm të ekzekutivit do të jetë e madhe, ndërsa monitorimi i tyre do të jetë më efikas dhe më i fort si asnjëherë më parë.

Për këtë arsye këto negociata për formimin e Qeverisë së re janë shumë interesante. Klasa qeverisëse në natën e zgjedhjeve në mënyrë taktike i tha masës së kënaqur që ka 180.000 vota mbështetje, që është fare e pavërtetë, mbase për ti përgatitur psiqikisht për ditët që vijnë kur fillojnë të lusin dhe të thyejnë pakicat për të formuar disi Qeverinë dhe të ruajnë privilegjet edhe një kohë.  Partitë e pakicave në Mal të Zi tani kanë obligim të madh të dëshmojnë pse u formuan, për çfarë shërbejnë dhe interesat e kujt i mbrojnë. E pranoj, nuk e kanë të lehtë. Kjo që do të vendosin, mund të jetë e mirë, mund të jetë solide, por mund të jetë fatale për ato vet. Nuk është lehtë të bësh koalicion me ato që tash 23 vite i mbajnë në margjina pjesëtarët e popujve pakicë. Me ato që i deportuan, i bënë shantazh, i gënjyen, i diskriminuan! Por, ka njerëz që thonë që kjo është politika, ndërsa interesi është mbi të gjitha!? Jo, kjo nuk është politika në qenien e vet, kjo është politikanizëm i imët, tregti e keqe dhe nënvlerësim i vetes dhe i popullit të vet. Mirëpo, është e drejtë legjitime që përfaqësuesit e qytetarëve të cilët mandatin e fituan nga populli, me te të disponojnë në mënyrë që ato mendojnë që është më e mira.  Vërtet, nuk është e lehtë t’ju shpjegohet qytetarëve, për shembull Shqiptarëve, si shkoni në koalicion me ato kundër të cilëve me vite drejtoni fushaten. Me ato të cilët prishën dhe shitën hotelet, Kriporen, Valdanosin…, me ato të cilët që nga viti 1992 e mbajnë Ulqinin nën okupim me Të Mirat Detare, të cilët premtojnë komunën e Tuzit, dhe që janë fajtorë kryesorë që ka më shumë shqiptar nga këto treva jashtë shtetit se në shtëpinë e vet, dhe që numri i tyre është më i vogël nga njëri numërim i popullsisë tek tjetri. Nuk do ta kenë të lehtë as Boshnjakët, megjithëse ato edhe deri tani ishin në pushtet. Me një ministër nuk mund të bënin asgjë spektakulare për popullin e vet, sepse nuk ekzistoj vullneti i shumicës për atë. Por, për fat, shpresa nuk vdes kurrë. Ngjashëm është dhe me Kroat, të cilët dorën në zemër janë më pak dhe të cilët jetojnë në trevat me situatë socio-ekonomike diçka më të mirë, për dallim nga popujt tjerë pakicë, por që gjithashtu nuk harrojnë rolin e liderëve të sotëm dhe të atëhershëm në linçimin e bashkatdhetarëve të tyre. Si pjesëtar i popullit shqiptarë, i cili i njeh problemet e pakicave për të cilat fola, sinqerisht ju dëshiroj shumë fat në negociata. Jam i bindur që përfaqësuesit e pakicave gjithmonë ishin pjesa më konstruktive e këtij vend dhe që mesin e tyre ka më shumë nga ato që dëshirojnë ndryshime thelbësore dhe rrënjësore të kësaj shoqërie, dhe jo vazhdimin e këtij seriali tragjikomik politiko-tranzicional.

Mirëpo, kompleksi i inferioritetit, ndjesia që jeni të vogël dhe të parëndësishëm, që jeni në margjina, nganjëherë ju shtynë të shkoni në përqafim ati që është më i forti, edhe sikur ai është ai që ju nënvlerëson dhe që vite me radhë pa nevojë ju “shpullon” dhe kërkon nga ju që vazhdimisht të përsërisni FALËMINDERIT! Më vjen keq që është ashtu, sepse morali ka dy komponentë, dhe nëse ai kolektivi dështon dhe nuk është në nivelin adekuat, atëherë duhet të dihet që individuali nganjëherë duhet të ngrihet mbi mundësit e veta, që të mbajë baraspeshën e barabarësisë dhe ta mbajë të ndezur shkëndijën e lirisë dhe dinjitetit. Nëse negociatat e partive të pakicave me klasën aktuale qeverisëse për fatin e tyre dështojnë, i mbetet të provojnë që në mënyrën tjetër, e cila për nga etika është më e pranueshme, të dalin nga kthetrat e lokalizmave dhe getoizmave, dhe të bëjnë diçka vërtet të madhe dhe historike, si për popujt e vet ashtu edhe për të gjithë shtetin. Mali i Zi Pozitiv nuk është themeluar për të marrë një apo disa funksione, por është e formuar me dëshirë që vërtet të bëj diçka të mirë për këtë vend. Partitë e popujve pakicë në Qeverinë e pakicës së Partisë Pozitive e cila do të ishte e hapur për të gjithë profesionistët në këtë vend, do të ndjeheshin njëjtë si gjithë të tjerët, e për atë që do ta bënin për popullin e vet do ta falënderonin vetëm veten, e jo zot;rin e madh i cili është nën presion dhe i cili, me qëllim që të shpëtoj veten dhe partinë e vet, ju jep thërrimet nga tryeza e pistë, afër të cilës gjatë qenë të ulur e të uritur. Nëse këtë nuk e dëshirojnë, atëherë është më e drejtë mandatin të ja kthejmë qytetarëve dhe të shkohet në zgjedhje të përsëritura.

As ky tekst, as ndonjë vepër tjetër e imja, nuk është i udhëhequr me dëshirën që dikush të detyrohet të bëj diçka që nuk dëshiron apo që është në kundërshtim me ndërgjegjen e tij. Përkundrazi, dëshira që të kristalizohen gjërat, ti bien maskat dhe në bazë të kësaj, në një të ardhme, votuesit të dinë kujt t’ia japin besimin e vet. Si do që të jetë në fund, jam i sigurt që qeveria e re do të jetë më e mirë dhe më efikase se e kaluara, që do të jetë më afër interesave të qytetarëve dhe që me punën e vet do të arrijë ta përmirësoi standardin jetësor. Nëse këtë nuk arrijnë ta bëj në masë të kënaqshme, atëherë më në fund do të ndodh ajo që është e logjike: do të vijë deri tek ndërrimi demokratik i saj. Kësi lloj mundësie nuk jepet në çdo cikël zgjedhor. Historia është dëshmitare që popujt rrallë vijnë në mundësi të zgjedhin rrugën e tyre. Në liderët e partive pakicë është të vendosin a do të luajnë si kampion apo gjithmonë do të rrinë ulur në stol: pa rënë në sy dhe të lënë mas dore nga trajneri i keq! Dhe në fund, qeveria e pakicës nuk është asnjë lloj utopie, siç duan ta paraqesin ato të cilët nuk dëshirojnë të mirën për këtë vend, por vetëm për veten. Përkundrazi, utopi është të mendosh që qeveria e përbërë në mënyrë dominante nga koalicioni i deritanishëm qeverisës do të jetë ndryshe nga ky deri tani dhe që do të ndërroj sjelljen e vet, mënyrën e punës dhe marrëdhëniet me qytetarët e cilit do lloj nacionaliteti. Me sa duket festat që janë para nesh, simbolikisht mbërrijnë në momentin e duhur, të na shërbejnë të pastrojmë shpirtrat tanë dhe të mendojmë më qartë. Mjafton që do të na përkujtojnë se për atë që do të vendosim do të japim llogari para Zotit dhe para popullit. Prandaj, urime nga zemra të gjithëve që festojnë!

 

mr Dritan Abazoviq

katakomba@hotmail.com

9