Dasma e Ulqinit prezanton vlerat kulturore të Ulqinit në Top Channel – Video

Pas një dekade e gjysmë, atë që nuk e arriti politika, e bëri kultura dhe rinia, veteranët e skenës, këngës dhe folklorit, bashkohen për të krijuar një program që përfaqëson denjësisht thesarin e kulturës dhe trashëgimisë mijëvjeçare të Ulqinit në emisionin më të shikuar në trojet shqipëtare “Top Channel”.

Dasma, ky event kaq i hershëm i bashkimit të dy njerëzve për të krijuar familje, është pasuruar gjatë shekujve me lloj-lloj rritesh. Por e kaluara gjithmonë tërheq… Pas sugjerimeve të lexuesve tanë nga treva të ndryshme të Ulqinit, menduam të nisim një çikël të traditës së hershme dhe ritualeve mbi proceset më të rëndësishme jetësore, siç janë dasma. Ciklin vendosëm ta nisim nga Ulqini, për respekt të lexuesve tanë atje, të cilët kanë qenë të parët që na kanë dhënë një ide të tillë.Ne do fillojmë të zbulojmë nga pak traditën e harruar të dasmës ulqinake…Si keni edhe ju sugjerime vazhdoni të na shkruani që ta pasurojm thesarin e kulturës së Ulqinit.

Fejesa në kohën tonë ka pas qenë bërë me shkusi, pra prej njohjeve mes fiseve, familjeve e kështu me radhë. Gjithnjë kanë preferuar të zgjidhin një vajzë apo një djalë nga familje të mira, të ndershme, dhe sipas shtresave, gjithsecili nga prindërit është munduar të zgjedhë një bashkëshort për fëmijën e tij nga rangu i kllasës që i përkiste. Kjo ka qenë e përgjithshmja për t’u lidhur një çift në martesë. Janë fenomene shumë të rralla ato martesa që janë bërë me njohje vetë të çiftit, por edhe në ato raste shkuesit kanë qenë ndërhyrës për njohjen. Ka pasur edhe ekspertë që merreshin me fejesat. Këta shkues kishin njohuri për të gjitha familjet e qytetit dhe mundoheshin të kryenin lidhje sa më të qëndrueshme dhe të përshtatshme. Këta njerëz shkonin herë te njëra familje e herë te tjera, duke biseduar për bashkimin e të rinjve, derisa bihej dakord. Dajat dhe xhaxhallarët, me rekomandimet e tyre, gjithmonë kishin ndikim në dasmat e nipërve.

Fejesa s’ka pas rite të dukshme. Më tepër këto rite bëheshin mes familjes dhe të njohurve. Fillimisht bëhej “këputja e fjalës”, që nënkupton momentin kur një axhë  apo dajë i dhëndrit shkon te familja e nuses së ardhshme dhe i kërkon dorën vajzës. Ky person ishte me autoritet të padiskutueshëm. Ky person shkonte i vetëm në derën e vajzës dhe aty i jepej fjala nga babai i saj, vëllezërit e axhës  apo dajat. Kjo ishte edhe faza e parë e fejesës. Më tej vinte pirja e kafeve. Më parë kjo bëhej më pak njerëz. Krushqit e dhëndrit, rreth 7-8 veta, shkonin e pinin kafe. Kjo vizitë kthehej në të njëjtin numër krushqish nga ana e familjes së vajzës. Pasi mbaronte edhe pirja e ndërsjellë e kafeve, e gjitha kjo quhej një farë dëshmie dhe aprovimi për fejesën dhe martesën e ardhshme. Ceremonia ishte e thjeshtë, me disa llokume, pirje kafesh dhe disa dhurata të thjeshta reciproke. Më vonë dërgoheshin edhe shenjat, një rreth, unazë floriri. Rrethi çohej nga të rinjtë në të dyja familjet, por pa u parë njëri me tjetrin çifti i ardhshëm. Edhe këtu kemi dhurata të thjeshta që u jepeshin atyre që çonin shenjën. Kjo fejesë është shoqëruar edhe me praninë e një kleriku katolik ose një hoxhe, në varësi të fesë, i cili bënte lutje dhe bekimin për të vajtur bashkimi i të rinjve në rrugë të mbarë. Burri shpesh nuk e kishte parë ndonjëherë para dasmës nusen e tij

Paja e nuses

Pas fejesës nis faza e bashkimit të çiftit në martesë. Këtu ka pasur zakone të tjera që janë zbatuar në varësi të sferës që njerëzit i takonin. Këto adete ndryshonin mes të varfërve e të pasurve apo mes fshatit e qytetit. Po kështu, të ndryshme nga këta dy të parët i kanë pasur zakonet familjet e mesme. Ata që ishin të pasur janë marrë me përgatitjen e “dhëntisë” së dhëndrit dhe me përgatitjen e pajës së nuses.Me një gjergjef të vogël dorë, vajzat që nga koha e fejesës, por edhe vite para saj, janë marrë me përgatitjen e pajës së tyre, duke qëndisur sa më shumë. Atëherë çdo gjë qëndisej nga dora e nuses. Me vite të tëra vajzat punonin për pajat, madje ka pasur edhe raste plot që janë kthyer edhe në këngë popullore kur këto nuse janë qëruar nga puna e gjatë dhe lodhshme me pajat e tyre. Përgatisnin dhomën e gjumit, qëndisnin të gjitha rrobat e veta, të brendshme e të jashtme etj”. Babai i vajzës interesohej gjithashtu që t’i blinte bijës gjëra të kushtueshme. “Këtu në viset e Ulqinit ka qenë karakteristike për familjet e mëdha blerja e gjërave shumë të kushtueshme nga babai për nusen e re,rrobës kombëtare i shtohej një lloj veshjeje që vihej në kokë që quhej hilalëk. Ajo ishte shumë e kushtueshme dhe kishte 100 napoleona ari të varura rrotull. Pastaj, përmbi rrobat kombëtare, sipas pasurisë së njerëzve, janë varur ato që quhen dupje, vargje me monedha ari, të cilat shkonin deri në 3 breza. Këto quheshin dupje, pasi ishin zakonisht monedha ari, dukate të Venedikut”. Interesimi kalonte më pas te këpucët e nuses që të ishin të stolisura e të qëndisura. Në pazar të Ulqinit, mjeshtra e rrobaqepës kishin punishtet e tyre dhe merreshin me porosi enkas për këto raste.

“Dhëntia”, përfshinte pjesën tjetër të pajës, pasi pas rrobave kombëtare, kanë qenë ato të stilit modern evropian. Ka pasur, veç rrobave të dasmës dhe fustane të përditshme apo këpucë e breza, byzylykë, sahate ari, aromatizues.Familjet ulqinake tregojn në lidhje me këtë se “babai i nuses rëndohet shumë, pasi babai i nuses çon shumë më tepër në shtëpinë e burrit sesa sjell burri”. Ky është dhe ndryshimi mes fshatit dhe qytetit.

Zakonisht, muaji i preferuar për dasmën është shtatori, pra, stina e vjeshtës. Përveç kohës së mirë, ka të bëjë edhe simbolikisht rritja e prodhimtarisë gjatë vjeshtës. Pra, kjo bëhet që edhe çifti të ketë pjellori të mirë.
Vetëm në ndonjë rast të jashtëzakonshëm mund të bëhet një dasmë jashtë shtator-tetorit, kur lihej data e dasmës.

Sot, kur vjen nusja në shtëpi, njerëzit i bien borive të makinave, në atë kohë përmbi kuaj krismat nuk kishin të sosur. Nusja ulej në fillim në gjerdek, një qoshe e ndarë e dhomës ku qëndronte pa fjalë, ndërkohë që të gjithë vinin e shikonin, duke admiruar bukurinë e saj, që nga të afërm, komshinj e kështu me radhë. Në krah të nuses qëndron një i afërm i saj dhe daja ose axha kurse në krah tjeter qëndron vëllaj.

Të mërkurën dërgojnë dhuratat te nusja dhe pihet kafja,kurse ditën tjetër e marrin dhëntin. Të premten përgatitet nusja dhe e bënë natën e varzave, dhe të shtunën bëhet dasma në shtëpinë e saj, ndërsa te burri të dielën nis festa.

Lajme nga Ulqini

 

 

14