Lulëzimi në periudhën e Balshajve – Mbi të kaluarën e Ulqinit (5)
Deri në vitin 1423, pra gjatë sundimit të dinastisë së princërve Balshaj, qyteti i Ulqinit ka rëndësi politike dhe kulturore e cila rritet sidomos pas shpartallimit të Rashkës. Në kohën e sundimit të Gjergj Stres (Strasimir) Balshës (1385-1405), i cili vdiq dhe u varros në Ulqin, qyteti bëhet qendër e princërve të familjes së bujarëve shqiptarë Balshajve, kurse vetë Gjergj Stresi (Strasimiri) njihet si “zot i Zetës dhe i Bregdetit” e dubrovnikasit (raguzasit) e konsideronin si “Princ i Ulqinit”.
Më herët, prej kohës së Nemanjitëve, e më vonë edhe të Balshajve, datojnë monedhat e bronzit dhe të argjendit me motive të ndryshme.
Nga koha e Balshajve janë të njohura monedha, ku në njërën faqe figurojnë motive të mburojës dhe kokës së ujkut me nofulla të hapura. Mbase motivi i ujkut mund të shërbejë edhe si mbështetje për vazhdimësinë e pranisë së totemit të ujkut nga koha antike dhe për tezën se emri i Ulqinit të lashtë shpjegohet i prejardhur nga emri i ujkut, tezë të cilën e kemi përkrahur edhe ne, dhe në funksion të së cilës shtojmë edhe të dhënën paraprake.
Të kohës së Balshajve, përveç kokës së ujkut që figuron në monedhat përkatëse, kemi edhe monedha të tjera të farkuara në Ulqin, të quajtura follarë, për të cilat vlen të ceket konkluzioni i Këshillit të Vogël të Raguzës nga viti 1386, sipas të cilit i mundësohej Ulqinit të farkonte follarët e tij (…) quod idem de Dulcinio possint facere fier cuneos folalorum suorum që lë të nënkuptohet se monedhat farkoheshin gjetiu, pra edhe më herët. Këtu po i paraqesim disa prej tyre ku pasqyrohen motivet me Shën Mërinë e Jezusin, Qengjin e Zotit, pastaj kështjellën e Ulqinit dhe disa të tjera të gjetura në Shas, me motive të ndryshme. Gati të gjitha llojet e follarit të Ulqinit në revers kanë figurën e Shën Mërisë, por është e njohur edhe seria e atyre me Qengjin dhe Hyjin që i takojnë Ulqinit, gjë që vërehet edhe në mbishkrimet Dulcigno, Dulcino, përkatësisht Agnus dei Dulcinii.
Monedha me motive nga kështjella e Ulqinit del me tri kulla (më e larta në mes), dhe porta e madhe në të cilën shihet druri mes dy gjyleve. Në nënllojin e dytë dallohet figura e njeriut me duar të shtrira. Në këto dy lloje monedhash figuron emri i qytetit të Ulqinit CIVI(TAS)- (D)VLCINII, përkatësisht CIVITA DVLCIGNII.
Sa i takon vetë familjes bujare të Balshajve do të cekim edhe të dhënën interesante, për të cilën bën fjalë edhe Rovinski, sipas të cilit atë e ndeshim edhe te Barleti. Ky i fundit, disa vojvodë që i ndihmonin i pandeh shqiptarë si vijon: “Inter eos et Georgius Stresius nepos venit, Balsae filius (Në mesin e tyre erdhi edhe nipi Gjergj Stresi, i biri i Balshës. R. U.). Edhe para Balshajve, Ulqini dallohet si qendër e rëndësishme tregtare, financiare, kulturore, me Kuvendin e Qytetit me statutin e vet, me punëtoritë e skalitësve, të njohura nga shekulli IX. Mirëpo, edhe në kohën e sundimit të tyre, Ulqini përjetoi një lulëzim të plotë. Në portin e Ulqinit qarkullonin detarë, tregtarë e financierë, jo vetëm nga Raguza (Dubrovniku) e Venediku, por edhe nga qytete të ndryshme të Evropës. Nga kjo qendër është eksportuar sidomos druri dhe kripa, kurse importuar kryesisht tekstili.
Dokumentet e kohës dëshmojnë se tregtarët e Venedikut e kanë pasur në Ulqin edhe konsullin e vet të quajtur Benedikt Kontarino të cilit Gjergj Stresi i pat garantuar lirinë e tregtisë me Ulqinin. Nga kjo periudhë, përkatësisht në vitin 1392-93, përmendet një episod sipas të cilit Republika e Venedikut drejton një eskuadrilë në drejtim të Ulqinit për të marrë në mbrojtje bashkëshorten e Gjergjit, Helenën, për të cilën thuhet se ishte e bija e princ Llazarit. Gjatë shekullit XIV, në punëtorinë e Ulqinit u formuan edhe skalitësit e njohur Mikeli, Gjergji dhe Radosh Gjoni, kurse në vitin 1397, Gjergj Stresi vepron në rindërtimin e qytetit, duke angazhuar këtu edhe mjaft raguzianë dhe venedikas, si mjeshtër të njohur ndërtimi. Këto projekte të filluara arkitekturale i vazhdon edhe Balsha i III-të. Mirëpo, përvoja jo e duhur e këtij të fundit pati për pasojë përfshirje më të fuqishme të Venedikut në këtë truall.
Balsha i III-të, megjithatë, arriti që në vitin 1413 ta kthejë Ulqinin sërish në duart e familjes Balshaj deri në vitin 1421, kur ky vdes dhe kur shuhet dinastia e princërve Balshaj. Si gjurmë e kohës së sundimit të Balshajve në këtë qytet, veç tjerash, dallohet Kulla e Balshajve në pjesën e sipërme të qytetit, kullë kjo që u rindërtua disa herë dhe sot shërben si muze-galeri. Nga koha e Balshajve, përkatësisht e Gjergj Stresit, në burimet historiografike bëhet fjalë për fisnikët venedikas që udhëtuan me galerë nga ujërat e Dalmacisë deri në grykën e turbullt të Bunës së rrezikshme, me gumnat e saj prej rëre dhe cektinat e këtij lumi deri në Shën Kollin e asaj kohe.
Më vonë, Balsha III do të transportojë verën prej Ulqinit me lundra nëpër Bunë dhe liqe drejt të quajturave montanee, pra malësisë. Siç u pa më lart dhe sipas pohimit të Rovinskit, për Balshajt kultura perëndimore ishte më e afërt sesa ajo lindore, dhe se krahas kulturës shkrimore sllave tek ta ekzistonte edhe ajo latine, gjë që vërehet edhe te Nemanjitët. Në këtë kontekst vlen të ceket një shënim i studiuesit Boshkoviq (Boskovic, Ulcinj), sipas të cilit Ulqini kishte një kishë të ndërtuar në stilin romano-gotik ku gjendej edhe një varr princëror, që ka gjasa të jetë ai i motrës së mbretëreshës serbe Helena dhe i familjes Balsha, me mbishkrimin në gjuhën latine “hic iacet Zorzi Balschi et sui eredes…”, që do të thotë “këtu pushon Gjergj Balsha me trashëgimtarët e tij…” Për ne këtu ka rëndësi fakti se në fjalën latine hic (këtu), figuron h-ja nistore që shpesh mungon në rrasat e varreve të kësaj hapësire, por është ruajtur në ndonjë rrasë të Shasit. Për këtë kishë Boshkoviq nuk përjashton mundësinë që të jetë katedralja e njohur e Shën Mërisë së Ulqinit.
Në dy monedhat që u atribuohen Balshajve, në njërën anë figuron mburoja apo sqyti me kokën e ujkut me nofull të hapur, kurse mbi të është përkrenarja në majë të së cilës është po ashtu koka e ujkut.
Koha Javore