Rrezart Cungu, fitues i turneut

September 23, 2011   | Sporti / Sport

Tenisti i ri ulqinak, Rrezart Cungu, vazhdon të arrijë fitore të reja në tenis. Ky tenist, bartës i titullit të tenistit më të mirë në Mal të Zi për vitin e kaluar, deri në moshën 12 vjeç, shkëlqeu edhe në turneun dyditor të tenisit, i cili u mbajt fundjavën që lamë pas në Ulqin. Cungu para publikut të vet e arsyetoi rolin e favoritit dhe vitrinës së tij të trofeve i shtoi edhe një kupë, duke triumfuar bindshëm në dy sete ndaj kundërshtarit Vladimir Boshkoviq nga Nikshiqi me rezultatin 6:2 dhe 6:1. Që në fillim të kësaj ndeshjeje, Rrezarti u shfaq në formën e tij më të mirë dhe nuk i lejoi kundërshtarit asnjë shans për fitore, edhe pse në gjysmëfinale ishte lodhur shumë në ndeshjen me tenistin Bodin Aleksiq nga Budva, të cilin pas gati tri orë lojë arriti ta fitojë me rezultat tepër të ngushtë 6:4, 6:7, 7:6. Aleksiq është parë nga publiku që të derdhë lot në fund të kësaj përballje me Cungun. Deri më tani Cungu ka triumfuar në disa turne në kategorinë deri në 12 vjeç, ndër të cilët veçojmë: turneun “Nada” në klubin “Diplomatik”, KT “Bellevue”- Ulqin, “Budva Open” në klubin KT “Budva”, KT “Bar” dhe turneun dimëror të Malit të Zi në KT “Eminent” në Podgoricë. Ndërkaq në kategorinë deri në 14 vjeç ka zënë vendin e parë në turneun “Kotor Open” në Kotorr, vendin e dytë në turneun “Srna Cup” në Nikshiq etj. Këto dhe rezultatet e tjera të këtij tenisti dëshmojnë se fjala është për një talent, i cili, nëse vazhdon me ritmin e deritashëm, i hapen shtigje të reja në rrugën të tenisit. Cungu gjatë dy viteve që ushtron tenisin prezentoi në mënyrën më të mirë të mundshme jo vetëm veten e tij dhe klubin “Bellevue”, por promovoi edhe qytetin e tij të lindjes – Ulqinin. Në konkurrencën e vajzave fituese e këtij turneu, në të cilin morën pjesë 37 tenistë (11 vajza dhe 26 djem) nga Mali i Zi dhe Shqipëria deri në moshën 14 vjeç, u shpall Emilija Obradoviq nga Herceg Novi e cila në finale ishte më e mirë se Itana Pejoviq nga Podgorica, me rezultat 6:2-6:0. Nga KT “Bellevue” në këtë turne garuan Aksa Muratoviq, Selma Mujiq, Anja Martinoviq, Kristina Junkoviq, Fjolla Brisku, Emina Nimanbegu, Haris Sarvan, Edin Sarvan, Kenan Nimanbegu, Arijan Marini, Benijamin Dobarxhiq, Nermin Hoxha, Genc Selita dhe Rrezart Cungu.

KT “Bellevue” edhe kësaj radhe u dëshmua se është nikoqir i mirë dhe organizator i suksesshëm i turneve, gjë të cilën e ka vërtetuar sidomos në Turneun e Parë Evropian “Cungu Open 2011”. Menaxheri i këtij klubi, Avdulla Dervishi, duke u shprehur i kënaqur me organizimin, numrin e pjesëmarrësve, cilësinë e tenisit të treguar në fushë dhe me publikun, paraljmëron se më 8-9 tetor në Ulqin do të organizohet turneu tradicional për veteranë.

Gjekë Gjonaj
Koha Javore


1