Studentët shqiptarë nga Mali i Zi në Shqipëri si të tjerët

September 14, 2011   | Kulturë / Kultura

Ulqin, 13 shtator –  Ka dështuar regjistrimi i të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi për t’u regjistruar në Universitetet e Shqipërisë sipas mënyrës së deritashme disa vjeçare.

Në të vërtetë, Ministria mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Pakicave /MDNJPMZ/ pranë Qeverisë së Malit të Zi, ditë më parë shpalli publikisht kuoatat të rezervuara për ata që janë përcaktuar të ndjekin studimet në universitetet e Shqipërisë, njofton KosovaLive.

Ndërkaq, po nga kjo ministri ka pasuar, po ashtu, komunikata, se të rinjtë që kanë kandiduar të tërheqin dokumentacionin, sepse “ata duhet të konkurrojnë në fakultetet përkatëse sikur të gjithë të tjerët”.

Kjo është marrëveshja e që kanë arritur, ministri mbi të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, Ferhat Dinosha dhe ministri shqiptar i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Edhe pse, në kuotat e “ofruara” , siç kanë thënë vetë të rinjtë,”nuk ka pasur degë atraktive”, siç kanë qenë viteve të kaluara, juridiku, ekonomiku, arkitektura, e në veçanti mjekësia.

Subjektet tjera politike shqiptare në Mal të Zi kanë pasur vërejtje të shumta se Unioni Demokratik i Shqiptarëve që drejton ministrinë e sipërpërmendur, gjoja, regjistrimin e studentëve, sidomos në Shqipëri, e bën “për interesa partiake”, ky organizim ka krijuar mundësi të konsiderueshme për shkollimin superior të të rinjve shqiptarë nga Mali i Zi në gjuhën e tyre amtare.

Zyrtari i MDNJPMZ, Gazmend Cuca deklaroi ditën e martë për KosovaLive, se sivjet ka ndryshuar kjo përvojë e regjistrimit të studentëve tanë.

“Por, në marrëveshje me ministrin shqiptar të Arsimit, të rinjtë tanë përsëri kanë një lehtësim, do të mund të konkurrojnë në disa fakultete, e kjo varet nga suksesi në shkollën e mesme”,- shprehet Cuca.

KOHA NET