Dritan Abazi: Edhe në Mal të Zi, më pak shqiptarë
Në Podgoricë janë publikuar sot rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Malin e Zi, i cili u zhvillua nga data 1 deri më 15 prill të këtij viti.
Sipas rezultateve të publikuara nga “Enti i Statistikës” së Malit të Zi dhe “Monstat” në Malin e Zi, jetojnë 625.266 banorë, nga i cili 44,98 për qind, deklarohen të përkatësisë nacionale malazeze, 28,73 për qind serbë, 8.65 boshnjakë, shqiptarë 4.91, myslimanë 3.31, kroatë 0.97 për qind.
Zyrtarët e “Monstat-it” thanë para gazetarëve se 42.88 për qind të shtetasve të Malit të Zi, flasin gjuhën serbe, ndërsa 36.97 për qind, atë malazeze.
Analisti politik, Dritan Abazi, i pyetur për mediat kosovare, komenton këto rezultate të regjistrimit e mbi të gjitha zvogëlimin e numrit të shqiptarëve. Ai thotë se tek shqiptarët kanë ndikuar dy elemente, që kanë sjellë rënien e numrit të shqiptarëve në Mal të Zi. Regjistrimi ka qenë joprofesional dhe shpopullimi i trojeve shqiptare, pasi në këto vise, gjendja ekonomike është në nivelin më të ulët në këtë shtet.
Sipas Abazit, tani shqiptarët e kanë shumë vështirë të ruajnë mandatet e garantuara të përfaqësimit në Parlamentin e Malit të Zi.
ORA NEWS