Libri shqip pushton Ulqinin
Dikur joshte pushtuesit, sot pushuesit, të cilët thuajse e gjashtëfishojnë popullsinë prej 23 mijë banorësh të Ulqinit.
Periudha e verës e gjen të tejmbushur me turistë qytetin e lashtë, ku ndërthuret harmonia e natyrës me detin dhe rivierën shkëmbore, me historinë që nis që në shekullin V para erës sonë.
Edhe këtë sezon turistik, sikurse është bërë traditë që prej 2001-shit, zhvillohet panairi i librit. 10 vjet më parë nën moton e heqjes së pengesave dhe integrimit kulturor mes dy vendeve.
Ndërsa sot, kur realiteti gjeopolitik i Ballkanit ka ndryshuar, ajo që mbetet e njëjtë si 10 vjet më parë është dëshira për librin, si një bashkëudhëtar i mirë i pushimeve të gjithësecilit.
“Është një vit jubilar. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme përhapja e librit jashtë vendit”, deklaron botuesja Irena Toci, të cilës i bashkohen edhe kolegët e tjerë.
“Përvec urës kulturore shtrohet edhe rruga politike. Mendojmë se kemi hedhur një hap të rëndësishëm në afrimin e dy vendeve”, shprehet Kujtim Gjonaj.
Si për cdo vit, stendat e librit ngrihen pranë Plazhit të Vogël gjysmërrethor në sheshin që shndërrohet në qendër të jetës së qytetit dhe vend takimi për turistët.
Qyteti i Vjetër, që ngrihet mbi kala fare pak metra larg shëtitores, është bërthama e trashëgimisë kulturore historike të Ulqinit, ku bashkohet mjeshtëria e ndërtuesve të vjetër me investimet rehabilituese të bëra rreth viteve ‘70 nga Tito.
Kjo është atmosfera që Ulqini i rezervon për cdo vit librit shqip, Pamundësia për të futur qoftë edhe një libër shqip në Mal të Zi mbetet vetem një kujtim i së shkuarës.
“E di se sa e vështirë ka qenë më parë. Por jam i sigurt se ky manifestim do të zgjerohet. Mendoj se libri po e kryen mirë detyrën në këtë drejtim”, deklaron kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
Atë që s’ka mundur dot ta bëjë politika e ka bërë këtë vit panairi i librit në Ulqin, duke mbledhur si të ftuar vec shkrimtarët Besnik Mustafaj dhe poetin malazez Zogovic edhe ministrat e Kulturës së Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.
“Është një gjë për t’u inkurajuar pasi jemi në një stad kulture të ri për rajonin”, shprehet Mustafaj.
“Panairi është rritur pak nga pak. Vendi i mbajtjes së panairit, pranë kullës së vjetër, e bën atë të promovojë disa vlera, jo vetëm atë të vlerës së shkruar, por edhe atë të trashëgimisë kulturore”, shton Xhaferri.
TOP CHANNEL
[flv width=”490″ height=”390″]http://video1.top-channel.tv/18754796/flv/kronika/ULQIN-LIBRAT.flv[/flv]