Ilir Muja kampion i Malit të Zi
Klubi i karatesë “Ulqini” ruan primatin e tij
Më 12 qershor 2010 në Podgoricë u mbajt Kampionati i karatesë së Malit të Zi për fatosa dhe shpresa, ku morën pjesë 23 klube me 134 garues. Në këtë kampionat garuesit e Klubit të Karatesë “Ulqini” u kurorëzuan me 14 medalje. Kampion i Malit të Zi në luftëra individuale u shpall Ilir Muja në kategorinë -50 kg, ndërsa nënkampionë të Malit të zi po në luftëra individuale u shpallën Angjella Marnikoviq -55 kg dhe Gentiana Kuqi +55 kg. Me medalje të bronztë në luftëra individuale u kurorë zuan Xhemale Elezi, Lulzim Suma, Edin Kraja dhe Lavtim Tula. Në kata ekipore nënkampion të Malit të Zi u shpall ekipi i shpresave i vajzave i përbërë nga Antigona Rama, Xhemale Elezi dhe Doriana Taipi, ndërsa ekipi i djemve në përbërje Teufik Shurdha, Rexhep Shaba dhe Edon Ceka u kurorëzua me medalje të bronztë. Kësaj here Klubi i Karatesë mori pjesë pothuajse vetëm me karateistë të gjeneratës së shpresave, pra 13 vjeçarë, por në mesin e tyre ishte dhe një talent i së ardhmes, shtatvjeçari Emro Bajrami, i cili u kurorëzua me medaljen e bronztë.
Sipas Rregullores së Federatës së Karatesë së Malit të Zi, e cila vendit të parë dhe të dytë automatikisht i jep të drejtën e pjesëmarrjes në Kampionatin Ballkanik, tre garuesit e KK “Ulqini” Ilir Muja, Gentiana Kuqi dhe Angjella Marnikoviq siguruan vendin në radhët e Përfaqësueses së Malit të Zi. Këtu nuk përjashtohet edhe Xhemale Elezi, e cila po ashtu ka shanse të mëdha për këtë.
Me këtë kampionat Klubi i Karatesë “Ulqini” përfundon sezonin e parë të garave me sukses.
KK “Ulqini”