Deti Adriatik plehërishtë
Tërë hedhurinat hidhen në det
Për fat të keq, analizat kanë treguar se uji i detit edhe në plazhet tona më të njohura nuk është në cilësinë e kënaqshme. Dhe ky fakt nuk e habit askënd, nëse dihet se gjatë 25 viteve të shkuara jo vetëm që nuk ka patur investime të rëndësishme në zgjerimin e rrjetit infrastrukturor të kanalizimit, por edhe mirëmbajtja e rrjetit ekzistues ka qenë reduktuar në minimum.
Një ekip ndërkombëtar i ekspertëve i cili vitin e kaluar hulumtoi përbërjen e faunës së thellësirave detare në pjesët më të thella të ultësirës së Adriatikut Jugor ndeshi në papastërtinë e tmerrshme të kësaj pjese të Adriatikut. Në thellësinë prej 1100 deri në 1200 metra nuk janë gjetur lloje e zakonshme të peshqve, por një sasi e madhe e hedhurinave, në radhë të parë e shisheve dhe qeseve plastike. Kjo hapësirë, nga Palagruzha deri në Otrant, është duke u shndërruar në një plehërishte të vërtetë me pasoja të rrezikshme për faunën, pohojnë specialistët e Institutit të Oqeanografisë nga Spliti. Kur dihet që për shpërbërjen e vetëm një shisheje plastike nevojiten të paktën 400 vjet, del qartë se hedhurinat që grumbullohen në fundin e detit, për shkak të pakujdesisë dhe neglizhencës së njeriut, janë bombë ekonomike potenciale.
Për fat të keq, analizat kanë treguar se uji i detit edhe në plazhet tona më të njohura nuk është në cilësinë e kënaqshme. Dhe ky fakt nuk e habit askënd, nëse dihet se gjatë 25 viteve të shkuara jo vetëm që nuk ka patur investime të rëndësishme në zgjerimin e rrjetit infrastrukturor të kanalizimit, por edhe mirëmbajtja e rrjetit ekzistues ka qenë reduktuar në minimum. Përqindja e kyçjeve në rrjetin e kanalizimit është relativisht e ulët dhe ka të bëjë kryesisht me bërthamën e ngushtë urbane të Ulqinit, çka do të thotë vetëm pak mbi gjysmën e familjeve.
Ky është njëri nga shkaqet kryesore që kanali i Port Milenës, dikur vendi më i rëndësishëm i shumëzimit të peshqve në Mesdhe, ndodhet në gjendje të tmerrshme. Po ashtu, të gjitha grykëderdhjet e kanalizimit nga 350 shtëpiza, vila dhe restorante në Bunë derdhen drejtpërsëdrejti në lumë, kështu që në grykën e Bunës nuk rekomandohet larja. Kurse në plazhet e Ulqinit përmes lumit Moraça, Liqenit të Shkodrës dhe Bunës arrijnë edhe hedhurinat nga Shkodra dhe Podgorica. Është problem i madh që spitali i Shkodrës një pjesë të hedhurinave mjekësore i hedh në Liqenin e Shkodrës, kështu që shpeshëherë në Adë, në Plazhin e Madh dhe në Plazhin e Vogël mund të gjenden shiringa, injekcione dhe aparate për marrjen e infuzionit.
Rreth pesë mijë vila dhe shtëpi në Shtoj nuk kanë kyçje në rrjetin e kanalizimit dhe për këtë arsye fekalet derdhen në gropa septike! Kjo gjendje po zgjatë me dekada të tëra, kështu që mundësia që çdo gjë të “shpërthejë” është vazhdimisht e pranishme.
Institucionet shtetërore dhe komunale nuk merren në mënyrë sistematike me statistikën e ndotjes së detit dhe të rripit bregdetar gjatë stinës turistike, kurse vlerësimet e shërbimeve komunale dhe të shoqatave ekologjike flasin se gjatë stinës turistike ndotja rritet prej katër deri dhjetë herë (varësisht nga numri i turistëve).
Sido që të jetë, në botë nuk është më problem të ndërtosh kolektor apo të organizosh grumbullimin e hedhurinave. Aq më tepër, këtu nuk mund të fitohet. Është problem të ndërtohet vetëdija për domosdoshmërinë e mbrojtjes dhe të ruajtjes së ambientit të jetesës. Do të ishte gjë e mirë dhe e dobishme që kjo të kuptohet edhe në shtetin ekologjik dhe turistik të Malit të Zi edhe në qytetin tonë të mrekullueshëm, në mënyrë që të vendosej “paqja me natyrën”, përkatësisht të ruhet deti ynë, liqenet dhe lumenjtë tanë dhe të ruhet “zhvillimi i qëndrueshëm”.
Mustafa Canka
Koha Javore