Mali i Zi – Shqipëri nga 2010-ta pa doganë

June 2, 2009   | Rajoni / Region

ne-forumin-e-biznesit-shqiperi-mali-i-zi_tiranShqipëri-Mali i Zi, mblidhet forumi i biznesit në Tiranë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës dhe Oda Ekonomike e Malit të Zi nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi

Më 29 maj 2009, në mjediset e Hotel Tirana International, u organizua Forumi i Biznesit Shqipëri-Mali i Zi. Morën pjesë përmbi 40 kompani nga vendi fqinj dhe një numër i madh përfaqësuesish të biznesit shqiptar. Sipërmarrësit dhe ekspertët e ekonomisë të të dy vendeve, shkëmbyen përvojat dhe biseduan për rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen.

Forumi i Biznesit Shqipëri-Mali i Zi u përcoll nga shumica e mediave shqiptare, vizive dhe të shkruara.

Kryetarë dhe vizionarë

Forumin e Biznesit Shqipëri-Mali i Zi e përshëndetën fillimisht inicuesit e tij, dy kryetarët e Dhomave respektive. Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë të Tiranës, Gjokë Uldedaj, bëri një panoramë të zhvillimeve ekonomike në Shqipëri. Ai ceku fillimisht  disa nga arritjet kryesore të vendit. (Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP) u rrit me më shumë se 6.8 %; inflacioni është mbajtur brenda nivelit 2 – 4%; deficiti buxhetor paraqitet në nivelin 3-4 % dhe borxhi publik më i ulët se 60%.) Këto arritje, kanë ardhur si rezultat i protagonizmit të sipërmarrjes shqiptare, si dhe falë reformave të sukseshsme. Të tilla janë reforma në regjistrimin on-line të biznesit. (Regjistrimi i biznesit bëhet brenda një dite pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, me një kosto më pak se 1 Euro. Një shërbim i tillë kryhet edhe te Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.) Reforma në uljen e barrës fiskale për bizneset; duke sjellë në fuqi në janar të 2008 taksën e sheshtë prej 10%  për tatimin e fitimit të kompanive dhe tatimin mbi të ardhurat personale, etj. Duke vlerësuar klimën e favorshme për zhvillimin e biznesit, Uldedaj tha se në raportin e saj “Doing Business 2009”, Banka Botërore e shpalli Shqipërinë si vendin e 2-të reformator në botë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë tregoi gjithashtu disa nga fushat kryesore, ku është i mundur bashkëpunimi, si energjetika, infrastruktura, turizmi, etj.

Shqipëria dhe Mali i Zi, tha më tej Uldedaj, duhet të thellojnë bashkëpunimin për hir të afërsisë gjeografike, të historisë që ndajnë dhe të aspiratave për destinacionin e shumëdëshiruar-BE. Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të thellojnë bashkëpunimin dhe të kalojnë vështirësitë aktuale.

Duke patur parasysh itinerarin e mysafirëve, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë iu kujtoi kolegëve  dy prej veprave që ofrojnë mundësi reale për bashkëpunim: Porti i Shëngjinit dhe Parku Industrial i Koplikut. Në këtë mënyrë, vizioni i dy kryetarëve do të gjente akordet e duhura.

Kështu, Kryetari i Odës Ekonomike të Malit të Zi, Velimir Mijuskovic, që në fillim të fjalës së tij, theksoi interesin e posaçëm që kanë bizneset e të dy vendeve për të zhvilluar më tej bashkëpunimin mes tyre. Baza e këtij bashkëpunimi, është në lidhjet historike dhe kulturore mes dy vendeve. Mysafiri nga Mali i Zi përdori figurat e Liqenit të Shkodrës dhe të lumit të Bunës, si simbole të bashkëpunmit; ato në kohë kanë qenë ura të shkëmbimeve njerëzore e tregtare. Sot, shtoi Mijuskovic, nuk ka asnjë pengesë në rrugën e bashkëpunimit në të gjitha fushat, posaçërisht në atë ekonomike.

Kryefjala e liderit të Odës Ekonomike malazeze, ishte turizmi; një nga fushat ku bashkëpunimi mund të konkretizohet me shumë sukses. Vendet tona kanë resurse natyrore të shumta; ato duhen shfrytëzuar më mirë. Në këtë temë, ndërthurren edhe një sërë elementesh të tjera, biznese që janë në shërbim të turizmit ose bëhen të domosdoshëm pikërisht falë tij. Një rëndësi të veçantë për zhvillimin e turizmit paraqet përmirësimi i infrastrukturës; ajo jep mundësinë të shfrytëzohen më mirë resurset përkatëse. Zoti Mijuskovic gjithashtu preku të vërtetën mbi shkëmbimet tregtare dhe ekonomike, që janë modeste. Por ai shprehu besimin se tabloja do të ndryshojë. Janë të gjitha mundësitë që këto shkëmbime të rriten dhe të mos kenë pengesë, por duke kontrolluar tregtinë e paligjshme.

Një vend të veçantë në fjalën e kryetarit Mijuskovic, zuri tema e krizës globale, që ka prekur edhe Shqipërinë e Malin e Zi. Dy shtetet tona, tha ai, duhet të mbështeten tek njëri-tjetri. Liberalizimi i tregut, sipas Mijuskovic, është një nga rrugët kryesore për lehtësimin e impakteve të kësaj krize. Ashtu si edhe kolegu i tij shqiptar, lideri i Odës Ekonomike të Malit të Zi e përfundoi fjalën e tij me ngjyra optimiste. Ai tha se do të ketë vazhdimisht përpjekje për të arritur një kuotë të re në bashkëpunimin midis komuniteteve të biznesit të dy vendeve.

Turku: Forcimi i bashkëpunimit – një përparësi

Në Forum ishte i pranishëm edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Dashamir Turku. Në fjalën e tij, ai vlerësoi se biznesmenët e të dy vendeve vënë në dispozicion të zhvillimit gjithçka ata kanë: pronat, kapitalet. Ata nxisin punësimin, inkurajojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin; ata janë motorët e zhvillimit të ekonomisë. Në të shkuarën e dy vendeve tona, tha më tej Turku, gjen më shumë gjëra që na bashkojnë se sa gjëra që na ndajnë. Ministri shqiptar foli gjithashtu për situatën e favorshme gjeopolitike, që e inkurajon bashkëpunimin; të dy vendet po ecin në rrugën e përbashkët eruro-atlantike.

Turku theksoi në mënyrë të veçantë vullnetin dhe përkushtimin e qeverisë për të zhvilluar vendin ekonomikisht. Ai vlerësoi reformat e suksesshme të administratës shqiptare. Përmirësimet në infrastrukturë, Turku i cilësoi si mundësi reale për rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve. Fushat e këtij bashkëpunimi, janë të shumta. Duke iu referuar sa realitetit, aq edhe programeve të dikasterit që ai drejton, Dashamir Turku e cilësoi turizmin si një fushat kryesore të bashkëpunimit shqiptaro-malazes. Turizmi, tha ai, është një nga elementet kryesore për zhvillimin ekonomik të vendeve tona; ato kanë potenciale të mëdha në këtë fushë. Më shumë se sa rivalitet, tha Turku, turizmi është një mundësi për intensifikimin e bashkëpunmit, sikundër edhe për focimin e miqësisë midis dy vendeve. Duke e vlerësuar me notat më pozitive Forumin e Biznesit Shqipëri-Mali i Zi, ministri shqiptar i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve tha se nxitja e bashkëpunimit ekonomik, është një ndër përparësitë e qeverisë shqiptare.

Marrëveshje bashkëpunimi midis Dhomave të Tregtisë

Forumi i Biznesit Shqipëri-Mali i Zi pati një pikë kulmore; atë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunmit midis dy Dhomave. Duke nënshkruar këtë dokument të rëndësishëm, Uldedaj dhe Mijuskovic, edhe njëherë deklaruan se do t’i zhvillojnë edhe më tej marrëdhëniet mjaft pozitive midis dy institucioneve që mbështesin bizneset reciproke.

Marrëveshja e Bashkëpunimit, e nënshkruar në këtë Forum Biznesi nga liderët e dy Dhomave të Tregtisë, ndërton një të ardhme më ambicioze për bizneset shqiptare e malazeze. Dhomat e Tregtisë zotohen se do të shtojnë përpjekjet për të promovuar bizneset respective. Ndër fushat kryesore të bashkëpunimit, janë edhe shkëmbimi i informacionit, hartimi i projekteve të përbashkëta, etj.

Ministritë e linjës mbështesin sipërmarrjen private

Zëvendës/Ministri i Ekonomisë i Malit të Zi, Goran Scepanovic, tha se ekonomia e vendit të tij, si një ekonomi e vogël, është nën ndikimin e lëvizjeve negative. Megjithatë, ai shprehu besim për arritjen e objektivit për një rritje prej 2 përqind gjatë vitit 2009. Qeveria e Malit të Zi, shtoi Scepanovic, po merr masa për zbutjen e krizës, duke lehtësuar procedurat për angazhimin e investitorëve. Ka gjithashtu përpjekje serioze për të nxitur rritjen e vendeve të punës, etj. Qëllimi është të përmirësohet dhe të përballohet konkurrenca me vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe ato të Bashkimit Evropian.

Më tej, zyrtari i lartë malazes tha se qeveria e vendit të tij po vazhdon të zbatojë një sërë projektesh në infrastrukturë. Me rëndësi, shtoi ai, është rritja e shkëmbimeve tregtare dhe forcimi i bashkëpunimit me vendet fqinje si Shqipëria. Disa nga fushat ku mund të konkretizohet ky bashkëpunim, janë: turizmi, pronat e patundshme, bujqësia, etj.

Në Forum, foli edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës të Shqipërisë, Durim Kraja. Ai tha se me gjithë nivelin modest të shkëmbimeve midis dy vendeve, gjithsesi ka rritje. Kraja u shpreh se ka interes të veçantë për inkurajimin e marrëdhënieve tregtare e të bashkëpunimit midis dy vendeve. Shprehje e këtij interesi, është edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Dhomave të Tregtisë.

Zoti Kraja vlerësoi në mënyrë të posaçme politikat nxitëse të qeverisë shqiptare për zhvillimin e ekonomisë dhe për konsolidimin e sipërmarrjes shqiptare. Reformat qeverisëse, tha ai, kanë mundësuar zgjerimin e bashkëpunmit në rajon dhe rritjen e investimeve të kapitalit të huaj e vendas.

Prezantohen ekonomia shqiptare dhe ajo malazeze

Një nga momentet kryesore të Forumit të Biznesit, ishte prezantimi i ekonomive shqiptare e malazeze, i resurseve dhe i mundësive konkrete që ato ofrojnë për investime dhe bashkëpunim. Leonard Prifti, Drejtor i Departamentit të Shërbimeve dhe Biznesit, solli një pamje të zhvillime kryesore ekonomike në Shqipëri. Duke përshkruar një pjesë të reformave kryesore të qeverisë shqiptare, Prifti theksoi se Shqipëria është një vend i përshtatshëm për të investuar. Ai përmendi rritjen ekonomike të garantuar dhe pozicionin gjeografik tepër të favorshëm.

Shqipëria, shtoi Prifti, është një tokë e pasur në burime natyrore. Shqipëria ka një situatë politike të stabilizuar. Më tej, ai përmendi disa nga sektorët ku mund të investohet dhe të rritet bashkëpunimi: Energjitika, transportet, minierat, turizmi, si dhe ngritja dhe funksionimi i zonave industriale.

Edhe ekspertët malazezë nga ana e tyre bënë prezantimin e esurseve kryesore të Malit të Zi. Ata u ndalën në përparësi të tilla si turizmi, pronat e patundshme, etj. Për të pranishmit, këto prezantime ishin një nxitje më shumë për të gjetur dialogun me njëri-tjetrin. Biznesmenët shqiptarë dhe malazezë shkëmbyen përvojat e punës dhe vështruan më nga afër mundësitë konkrete për bashkëpunim. Forumi i Biznesit Shqipëri-Mali i Zi shënoi kështu një tjetër sukses për Dhomën e Tregtisë e të Industrisë.

Nga VANGJUSH SARO