Gjokaj: Shkelja e të drejtës në informim,rrezikon ruajtjen e identitetit
Në kohën kur Mali i Zi duhet të ngritë kapacitetet e veta juridike mbi respektimin e të drejtave të pakicave, në kuadër të së cilës është edhe e drajta për informim në gjuhën e pakicave, merret një vendim i cili bie në kundërshtim më parimet e Këshillit të Europës dhe me parimet e rekomanduara nga Bashkimi Europian si kusht apo standard që duhet përmbushur një shoqëri që pretendon të integrohet në këtë familje të shteteve të zhvilluara. Pikërisht në këtë kohë Qeveria e Malit të Zi (Ministria e Financave) në kuadër të redukimit dhe racionalizimit të shpenzimeve kërkon që e vetmja gazetë në gjuhën shqipe në Mal të Zi “Koha Javore”, të redukohet në 4 faqe dhe të shpërndahet në kuader të gazetës “Pobjeda”.
Pavarësisht nga kriza me përmasa botërore dhe ndikimet që kjo krizë globale ka në situatën e përgjithshme financiare,parimi i Devolucionit duhet të respektohet, ashtu që pakicave e drejta e arritur nuk duhet në asnjë mënyrë t’u cungohet dhe t’u privohet.sepse kjo do të rrezikojë identitetin e pakicës autoktone shqiptare në Mal të Zi.
Po ndodhi kjo, atëherë ky gjest do të jetë në kundërshtim me shumë dokumente ndërkombëtare që Mali i Zi i ka ratifikuar apo është i detyruar t’i ratifikojë.
Ky propozim për racionalizim i cili është propozuar nga Ministria e Finacave të Qeverisë së Malit të Zi është në kundërshtim me rrugën drejt integrimeve europiane dhe normave që Mali i Zi duhet t’i zbatojë që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit dhe kulturës së pakicave dhe minoriteteve e që në kuadër të tyre është edhe informimi në gjuhën e pakicave.
Shkalla e respektimit të të drejtave të njeriut me një theks të veçantë në të drejtat e pakicave është parametër më i mirë i pjekurisë kolektive dhe pasqyrë të cilën një shoqëri e arrin në drejtim të demokratizimit të shoqërisë në tërësi.
Prandaj dua t’i veçoj disa pika që dokumentet ndërkombëtare u referohen shteteve të pavarura për ruajtjen e identitetit dhe kulturës së pakicave.
Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (1966, Neni 27)
Në ato shtete ku ekzistojnë minoritete etnike, fetare ose gjuhësore, personave që u takojnë këtyre minoriteteve nuk do t’u mohohet e drejta, në bashkësi me anëtarët e tjerë të grupit të tyre, të gëzojnë kulturën e tyre, të predikojnë dhe praktikojnë fenë e tyre, ose të përdorin gjuhën e tyre.
Deklarata për të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve kombëtare ose etnike, fetare dhe gjuhësore (e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB-ve; Rezoluta 47/135 e datës 18 dhjetor 1992)
- Neni 1
- 1. Shtetet do të mbrojnë ekzistencën e identitetit nacional ose etnik, kulturor, fetar dhe gjuhësor të minoriteteve brenda territoreve të tyre respektive dhe do të inkurajojnë kushte për promovim të atij identiteti.
- 2. Shtetet do të miratojnë legjislacion të përshtatshëm dhe mjete të tjera për të arritur këto përfundime.
Dokumenti i takimit të Kopenhagës të Konferencës për Dimensionet Njerëzore të KSBE-së, Kopenhagë, 29 qershor 1990
- Neni 35
- Shtetet participuese do të respektojnë të drejtën e personave që u takojnë minoriteteve nacionale për participim efektiv në punët publike, përfshirë participimin në punët lidhur me mbrojtjen dhe promovimin e identitetit të këtyrë minoriteteve.
- Shtetet participuese i dallojnë përpjekjet e ndërmarra për mbrojtjen dhe krijimin e kushteve për promovimin e identitetit etnik, kulturor, gjuhësor dhe fetar të minoriteteve të caktuara kombëtare
- Organizata Ndërkombëtare e Punës, Konventa lidhur me popujt vendas dhe fisnor në shtete të pavarura, Nr. 169(1989)
- Neni 4
- 1.Masa speciale do të miratohen si të përshtatshme për mbrojtjen e personave, institucioneve, pasurisë, punës, kulturës dhe mjedisit të popujve në fjalë.
- Në kuadër të kësaj dua të theksoj edhe dispozitat kushtetuese që Mali i Zi i ka cekur në kushtetutë, në çrast trajtohen të drejtat e posaçme të pakicave në kapitullin 5, ku ceket Mbrojtja e identitetit, Neni 79, pika e 11, thotë:
- Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të bashkësive të tjera minoritare u garantohet: e drejta e informimit në gjuhën e vet.
- Pasi që fjala e lirë u garantohet, kjo do të thotë edhe obligim i shtetit që këtë ta ngitë në një standard që do t’i përmbushë një minimum të kërkesave të pakicave për të patur një gazetë në gjuhën e vet, e jo të shkelen të gjitha parimet e lartpërmendura, duke shkelur kështu edhe të drejtat e pakicës shqiptare dhe të drejtën e saj të garantuar për informim në gjuhën e vet.
- Prandaj duke u bazuar në të gjitha këto argumente dhe në të drejtën për të patur informim në gjuhën tonë amëtare, kundërshoj këtë masë të propozuar nga ana e Ministrisë së Financavë dhe mbështes fuqimisht të drejtën për të patur një gazetë në gjuhën shqipe, me shpresë se Qeveria e Malit të Zi do të marrë masa të nevojshme që kjo gazetë të bëhet ditore e jo të botohet vetem një herë në javë.
Muhamed Gjokaj
Koha Javore