Big Brother Albania 2, përvojë e pashlyeshme
Për Anjezën dhe Arjonin, matematika nuk është opinion. Kuptimi i tatuazhit të tyre
Të gjithë banorët bëjnë tatuazhe, përveç Adelës dhe Arit
«Big Brother” u ka dhënë banorëve të shtëpisë më të famshme në Shqipëri mundësinë për të bërë tatuazhe, për të cilat flisnin aq shumë. Ata kanë diskutuar gjatë se çfarë tatuazhi të zgjidhnin e në ç’pjesë të trupit ta “aplikonin”. Përgjatë gjithë natës, ata kanë bërë me radhë secili tatuazhin e vet, me përjashtim të Adelajdës dhe Arjanit. Arjoni dhe Anjeza i kanë bërë tatuazhet në të njëjtin vend. Ai i ka qëndruar pranë asaj gjatë gjithë kohës, për shkak të dhimbjeve të lehta që ajo ndiente. “Sa keq që nuk ishte edhe Aida!” – ka thënë Qetsori. Ajo kishte shumë qejf ta bënte një!”. Mëngjesi i së dielës i ka gjetur banorët me një tjetër kujtim nga kjo eksperiencë, kësaj here në trupin e tyre.
Adi gdhend në lëkurë fjalën “loku”
I pari nga banorët që ka bërë tatuazh ka qenë Adi. Ai ka zgjedhur të bëjë si tatuazh në trupin e tij inicialet e “Big Brother”, por edhe fjalën “loku”, një emër përkëdhelës që përdoret nga Adi e nga miqtë dhe ambientet që ai frekuenton në Tiranë. Fjalët “Big Brother Loku” fillimisht ai ka dashur t’i shkruajë me shkronja kineze, por më pas ka zgjedhur një prej sugjerimeve të specialistëve, që “Vëllai i Madh” i kishte futur në shtëpi për këtë qëllim. Në fakt, ky nuk ishte tatuazhi i parë i Adit, pasi në trupin e tij, ai, ashtu si një pjesë e banorëve, ka edhe tatuazhe të tjerë.
Tatuazhet tregojnë personalitetin
Arjani ka thënë se ai nuk donte të bënte një tatuazh me inicialet e “Big Brother”. “Nuk po ndiej ndonjë përkatësi!” – ka thënë ai. Sipas Arit, një tatuazh, ishte diçka shumë e rëndësishme, për të cilën duhet të mendoheshe mirë para se ta bëje, pasi ishte diçka që nuk zhbëhej më. Veç kësaj ai i kishte tre të tjerë në trupin a tij. Më pas Ari ka shtuar se nuk mund të bënte tatu inicialet e “Big Brother”, kur nuk e dinte fare se çfarë shije mund t’i linte në fund kjo eksperiencë, apo çfarë ndikimi mund të kishte në jetën e tij.