Artan Zenuni juniori KT “Ulqini” në mesin e më të mirëve
Federata e taekwondo-së e Malit të Zi shpalli sportistët më të mirë për vitin 2008
Tre garues të KT “Ulqini” në mesin e më të mirëve
Artan Zenuni u shpall juniori më i suksesshëm për vitin 2008 duke fituar përveç këtij çmimi edhe bursë për vitin 2009, Arijeta Zati u shpall juniorja më e suksesshme, ndërsa Medina Kanaqi pionierja më e suksesshme.
Tre garues të Klubit të Taekwondo-së “Ulqini” u renditën në mesin e sportistëve më të mirë dhe më të suksesshëm për vitin 2008 në Mal të Zi nga Federata e Taekwondo-së e Malit të Zi, në ceremoninë tashmë tradicionale të fundvitit.
Artan Zenuni u shpall juniori më i suksesshëm duke fituar përveç këtij çmimi edhe bursë për vitin 2009, Arijeta Zati u shpall juniorja më e suksesshme, ndërsa Medina Kanaqi pionierja më e suksesshme.
Trajneri i KT “Ulqini”, Fikret Dushku, e vlerëson këtë rezultat si kurorëzim të sukseseve të arritura nga ky klub gjatë vitit 2008.
“Viti 2008 ishte për ne një vit i suksesshëm. Për dallim nga viti i kaluar, ne kemi arritur më shumë gjë që e dëshmon edhe vetë fakti që nga klubi ynë kemi edhe tre garues të cilët Federata e Taekwondo-së së Malit të Zi i vlerësoi si sportistët më të mirë për vitin 2008”, shprehet ai.
Artan Zenuni, i zgjedhur si juniori më i mirë në Mal të Zi për vitin 2008, ndjehet i lumtur për këtë çmim dhe për faktin se viti i kaluar ishte një vit i suksessheëm për të.
“Është një kënaqësi e veçantë. Edhe në të ardhmen do të mundohem t`i përsëris këto suksese”, thotë ai.
Edhe laureatja tjetër e çmimit të sportistit më të mirë të vitit, Arijeta Zatoviq, e vlerëson zgjedhjen në mesin e sportistëve më të suksesshëm.
“Ky çmim ka një domethënie të madhe për mua dhe për klubin tim e po ashtu edhe për qytetin tonë. Vitin e ardhshëm natyrisht na pret një punë më e vështirë, mirëpo do të mundohemi të japim maksimumin në mënyrë që t`i përsërisim këto rezultate”, shprehet ajo.
Trajneri Fikret Dushku tregon se KT “Ulqini” do t`i fillojë së shpejti stërvitjet për këtë vit. Ai është i vetëdijshëm se rezultatet e arritura nga garuesit e tij gjatë vitit të kaluar e obligojnë të punojë edhe më shumë këtë vit.
“Këtë vit na presin gara të shumta. Ne do të mundohemi të japim maksimumin dhe të përmbushim planin tonë”, përfundon ai.
Kohapress