Zanfina Ismajli flet rreth këngës “Koha e kometës”

November 6, 2008   | Lajmet / Vijesti

Ja pse më përzgjodhën mua
“Më kanë përzgjedhur mua sepse u ka pëlqyer karriera ime, kurse këtu ka ndikuar fakti që unë nuk kam asnjë këngë të huazuar. Kënga është paraqitur në shumë shtete dhe duhej të ishte origjinale dhe e bërë në mënyrë sa më profesionale në çdo aspekt”, thotë Zanfina Ismajli.
Zanfina Ismajli tashmë disa vjet është e pranishme në skenën e muzikës shqiptare. Ajo shumë shpejt arriti të bëhet e njohur, falë talentit që ka. Karriera e saj ka njohur vetëm suksese. Ajo ka kënduar këngën e filmit që bëri shumë bujë kohët e fundit “Koha e kometës”. Për këtë gjë ajo thotë se është shumë e nderuar, por më shumë është e nderuar nga fakti se organizatorët e filmit e kanë zgjedhur atë për ta kënduar këngën, sepse ajo është këngëtare që nuk huazon këngë, por këndon këngë shqipe. Ajo për gazetën tonë ”Kosova Sot”, flet për angazhimin e saj në këtë këngë, ku haptazi shprehet se është ndierë shumë e lumtur që ka qenë pjesë e këtij projekti të madh filmik. “Kur më erdhi oferta u gëzova shumë, sepse e dija që është një shans shumë i rrallë në jetë,dhe e pranova me shumë kënaqësi. Unë isha përzgjedhur nga 15 këngëtarë të tjerë. Më kanë përzgjedhur mua sepse u ka pëlqyer karriera ime, kurse këtu ka ndikuar fakti që unë nuk kam asnjë këngë të huazuar. Kënga është paraqitur në shumë shtete dhe duhej të ishte origjinale dhe e bërë në mënyrë sa më profesionale në çdo aspekt. Sidoqoftë, të jesh pjesë e një ekipe evropiane dhe aq profesionale është kënaqësi e madhe, sepse e di se puna që bën ia vlen”, thotë Zanfina Ismajli. Kënga të cilën ajo e ka kënduar, pra “Koha e kometës”, është bërë nga kompozitori Nexhat Mujovi –“Virusi”, kurse videoja është incizuar në Shkup, por regjinë e ka bërë kosovari Fadil Veseli. Zanfina thotë se është shumë e kënaqur nga “Virusi”, sepse ai “di të punojë këngën aq bukur saqë kush e dëgjon e ndjen shumë”, shprehet Zanfina për “Kosovën Sot”. Ajo për momentin është duke punuar një këngë të re, së cilës këngë mendon t’i bëjë edhe  një videoklip.
B. ZYBERI
Kosova Sot