Hajro Ulqinaku:Doracak me vlerë për nxënës dhe studentë
Botime të reja
Libri është një doracak i mirëfilltë për nxënësit e shkollës fillore si dhe një përmbledhje e qëlluar për studentët e gjuhës të cilëve pa dyshim se do t`u ndihmojë shumë në njohjen e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, e cila është krijuar nga autorë shqiptarë të cilët jetojnë në trevën e Malit të Zi apo jashtë, por që me punimet e veta lidhjet shpirtërore gjithnjë i mbajnë me vendlindje.
Këto ditë Asociacioni “Ulqini” nxori nga shtypi librin me titull “Degë e drurit të urtë” (Letërsi e bukur për fëmijë dhe të rinj) të cilin e përgatiti shkrimtari ynë i mirënjohur Hajro Ulqinaku.
Libri është një doracak i mirëfilltë për nxënësit e shkollës fillore si dhe një përmbledhje e qëlluar për studentët e gjuhës të cilëve pa dyshim se do t`u ndihmojë shumë në njohjen e letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, e cila është krijuar nga autorë shqiptarë të cilët jetojnë në trevën e Malit të Zi apo jashtë, por që me punimet e veta lidhjet shpirtërore gjithnjë i mbajnë me vendlindje.
Në këtë antologji për fëmijë e të rinj janë përmbledhur disa nga punimet më të arrira të autorëve si: Esad Mekuli, Nol Berisha, Rexhep Qosja, Hajro Ulqinaku, Ali Llunji, Idriz Ulaj, Zuvdija Hoxhiqi-Berisha, Ali M. Ahmeti, Asllan Bisha dhe Ibrahim Berjashi.
Si redaktor i librit nënshkruhet MA Haxhi Shabani, kurse libri mbyllet me recensionin e Sahibe Hoxhës.
“Në këtë antologji janë përfshirë punimet e shkrimtarëve, të krijuara që më parë, disa edhe në fillim të krijimtarisë, si studentë, e disa nga përjetimet si pedagogë, apo nga përjetimet e vetë shkrimtarëve me motive të ndryshme nga ambienti që i rrethon, natyra e vendlindjes së vet, vendin se ku jeton e vepron akëcili krijues. Sidomos përshkruhen përjetimet dhe emocionet duke iu afruar kështu botës së fëmijëve me të gjithë origjinalitetin dhe natyrshmërinë e përshkrimeve që fëmijëve u bëhet e dashur dhe e afërt leximi i këtyre punimeve. Ata i ndjejnë dhe i përjetojnë po me atë dashuri si i përjetoi shkrimtari.
Me gjithë këtë angazhim dhe punë gjatë viteve, shkrimtarët në Mal të Zi kanë arritur të realizojnë deri – diku kërkesat e popullit shqiptar, pas shumë situatave të ndërlikuara që janë zhvilluar në këto treva, duke treguar aftësi dhe fuqi për zgjidhje sa më të drejtë prandaj, suksesi nuk mungoi. Duke vepruar në këtë drejtim, duke zbuluar vlerat e secilit me një bashkëpunim, mendoj se afirmohet ajo që është më njerëzore, kultura e një populli, sot e nesër”, shkruan ndër të tjera në recensionin e saj kushtuar librit Hoxha.
Ky libër është një pasuri e mirëfilltë dhe meriton që si i tillë të gjendet në planin shkollor si lektyrë shkollore.
G. Çitaku
Koha Javore