Sa i ëmbël është pushteti!!!
Këtë vit, numri i “anëtarëve” të PPD-së nuk dihet sa do të jen.Si sqarohet kjo, e pyeta liderin e PPD-së gjatë ditës së përvjetorit të sivjetshëm. “Kjo tregon përkrahjen që i jep anëtarësia veprimit autonom”, m’u përgjigj Amir Holli. Mirë. Unë e kuptoj se ai si lider ka obligim t’i mbrojë njerëzit që i ikin në ditët e vështira dhe njerëzit që i vijnë në ditët e “lumtura”. Ditët e vështira të një partie janë kur ajo mbetet në opozitë, ndërsa ditët e lumtura kur partia hyn në qeveri. E vërteta është se vitet e kaluara PPD-ja ishte në opozitë dhe shpresat për të fituar aq deputetë sa të mund të hyjnë në qeveri të kësaj partie ishin të vogla, koalicionet ishin disi të pamundura dhe anëtarët e “flaktë” e kishin nuhatur këtë.Mirë ka të drejtë t’i mbrojë, se është rregull të mbrosh njerëzit e tu edhe kur janë të luhatshëm.
Ka tre llojet e anëtarëve të PPD-së
Partitë politike kanë disa lloj anëtarësh. Një lloj është i sinqertë, nuk kërkon asgjë nga partia. E pëlqen ideologjinë e saj dhe gjithmonë mbeten anëtarë. Sa pak ka të tillë! Një lloj tjetër anëtarësh, janë gjithmonë ata të cilët pretendojnë të jenë ministra, zv/ministra, drejtorë etj. Dhe ky lloj i anëtarëve janë dembelët e partisë ose përfituesit. Sa shumë ka prej tyre. Një lloj tjetër as vetë nuk e di se anëtar i cilës parti është. Ai njeh vetëm pushtetin dhe asgjë tjetër. Mirë. PPD-ja nuk duhet të gëzohet se ka pasur shumë anëtarë. Pasi 90 për qind ishin nga lloji i tretë. Ok. Urime PPD. Shqiptarët të urojnë shumë vite se ishte e para që e shkrive akullin dhe nuk kanë qejf të shuhesh. Po duhet të punosh më shumë me anëtarët e llojit të parë se përndryshe do të përfundosh ashtu si nuk kanë qejf të përfundosh shqiptarët e Ulqinit. Këtë ua ke borxh atyre që u është fiksuar ky emër.
Një rrëfim dhe një këshillë për PPD-në
E para, rrëfimi. Një mik imi më tregoi një histori të një anëtari të flaktë të PPD-së, nga lloji i parë i anëtarësisë së kësaj partie. Ai është nga një fshat i të Anës së Malit. Anëtari i PPD-së është njëri punëtor, por bukën e nxirrte nga puna që bënte në fshat. Anëtarë të një partie tjetër e keqtrajtonin çdo ditë duke e akuzuar partinë e tij, duke ia sharë anëtarët e kryesisë. Mirëpo, ai vazhdonte ta donte PPD-në, aq shumë sa kishte bërë edhe jastëkun dhe jorganin me stemën e kësaj partie. Kundërshtari kryesor i tij ishte partia që e shante çdo ditë. Pas një kohe të gjatë nën presionin e anëtarëve të kundërshtarëve partiakë, vendosi të mos bashkëpunojë me ata dhe mbeti edhe keq me punën. Po sërish vazhdonte ta donte PPD-në. Një ditë kjo e fundit bëri koalicion me kundërshtarët e tij. Kur mori vesh anëtari se partia e tij është miqësuar me “armiqtë” e tij, mori jorganin dhe jastëkun, i nxori në oborr dhe ua vuri flakët. Atë ditë për këtë anëtarë të zellshëm të PPD-së kishte krisur kiameti. Po PPD-ja paska qenë miq me armiqtë e mi, kishte thënë anëtari i familjes së tij. Në të ardhmen PPD-ja kur do të hyjë në mendje të miqësohet me kundërshtarët e saj, është mirë të mos marrë këshilla nga anëtarët e llojit të tretë të saj, por nga ata të parët. Në të kundërtën në fund do të mbetet vetëm me anëtarët e kategorisë së tretë, të cilët e duan PPD-në vetëm kur u vjen era qeveri.
E dyta. Këtu ka faj PPD-ja, apo kanë faj ish-kryetarët për mospjesëmarrje në përvjetorët e kësaj partie. Nuk ka rëndësi. Me rëndësi është që ata duhet të respektojnë partinë e tyre dhe partia e tyre të respektojë ata. Herëve të tjera, nëse PPD-ja do të festojë përvjetorë, është mirë që të bëjë një pakt me ish-kryetarët dhe t’i ofrojë së paku në datëlindje, për shkak se PPD-ja më shumicën prej tyre identifikohet. Po ashtu edhe ata identifikohen si PPD.