Ulqini hap dyert për turistët kosovarë
Komuna e Ulqinit tashmë i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e sezonit veror dhe i ka hapë dyert për turistët kosovarë. Bukuritë e plazhit të Ulqinit edhe sivjet, sikur edhe herëve tjera, ofrojnë shumë mundësi për turistët. Tashmë në fillim të sezonit, numri i turistëve në Ulqin është i theksueshëm. Zyrtarët e Ulqinit, ndërkaq nuk e shohin problem mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Malit të Zi që pushuesit kosovarë këtë vit ta “bojkotojnë” Ulqinin. “Mali i Zi nuk ka bërë njohjen zyrtare të shtetit më të ri në botë, Kosovës, por kjo nuk duhet të ndikojë tek qytetarët e Kosovës që ta bojkotojnë Ulqinin”, shprehet i bindur kryetari i Ulqinit Gëzim Hajdinaga në një takim me një grup gazetarësh nga Kosova ku është bërë promovimi i ofertës turistike “Ulqini 2008”.
Zoti Hajdinaga theksoi se Ulqini si zakonisht edhe këtë vit do të jetë ndër vendet e preferuara për kosovarët që t’i kalojnë pushimet verore. Ulqini me mbi 120 mijë shtretër dhe shumë plazhe që konsiderohen më të bukurat në rajon, ofron kushte edhe më të mira se viteve të kaluara, thotë Hajdinaga. “Ulqini sivjet është më i pastër, është më i furnizuar me ujë, më i ndriçuar dhe më i gjelbëruar dhe ofron pushime më të bukura”, thotë ai. Ai beson se tradita e ardhjes së kosovarëve në Ulqin do të vazhdojë edhe këtë vit, edhe pse Mali i Zi nuk e ka njohur ende shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. “Mali i Zi e ka treguar veten në ditët më të vështira për Kosovë, kështu që ne besojmë se populli i Kosovës nuk e harron këtë”, tha Hajdinaga. Ndryshe, në krahasim me sezonet e kaluara, përveç kushteve dallojnë shumë edhe çmimet nga sektori privat tek ai shoqëror. Çmimet për vendosjen në plazhet private si: “Copacabana”, “Safari”, “MSM” nuk kanë ndryshuar me ato të vitit të kaluar ( 2 euro për person), mirëpo në këto plazhe sivjet janë shtuar numri i çadrave për pushuesit.
Po ashtu çmimet sivjet nuk kanë ndryshuar edhe aq shumë në shtëpitë private, në të cilat qytetarët mund të pushojnë me një çmim duke filluar nga 5 deri në 10 euro, varësisht prej largësisë nga plazhi dhe varësisht nga kushtet. Ndërsa çmimet minimale për një dhomë në hotelet private sillet prej 30 euro. Këtë vit, komuna e Ulqinit e ka përmirësuar dukshëm infrastrukturën rrugore në krahasim me vitet e kaluara. Kreu i Ulqinit thotë se përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Mal të Zi nuk kanë përfunduar ende, por, shton se deri me 20 qershor të këtij viti do të përfundojnë të gjitha punimet në riparimin dhe ne zgjerimin e rrugëve. “Presim që deri më datën 20 të këtij muaji të
përfundojnë të gjitha rrugët që janë në renovim dhe që janë duke u zgjeruar, në mënyrë që turistëve që vijnë në Mal të Zi të ju ofrohen kushte sa më të mira”, thotë Hajdinaga. Kryetari Hajdinaga i ka siguruar të gjithë qytetarët e Kosovës se siguria e tyre do të jetë në nivelin më të lartë dhe se për këtë thotë se ka marrë përkrahje nga Qeveria e Malit të Zi. “Siguria për të gjithë kosovarët, por edhe për turistët e tjerë do të jetë nivelin më të lartë”, theksoi ai. Ai i falënderoi kosovarët për kontributin që po e japin në zhvillimin e turizmit në Ulqin, dhe në aspektin ekonomik dhe financiar të qytetarëve të saj. Në fund Hajdianga edhe një herë u bëri ftesë të gjithë kosovarëve që të vazhdojnë traditën e tyre dhe të shkojnë në plazhet e Ulqinit.
Malsia Forum