U mbajt edicioni i pestë i manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”
Festa e madhe anamalase
Pas organizimit me sukses të Sesionit shkencor “Shasi i lashtë, monument i kulturës”, i cili u mbajt më 16 dhe 17 maj e që tuboi studiues nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria, të shtunën dhe të dielën u mbajt pjesa tjetër e manifestimit “Pranvera në Anë të Malit 2008”.
Të shtunën u mbajt dita e sportit, në kuadër të së cilës u mbajt gara në vrapim, turneu në shah dhe turneu në volejboll, kurse dita qendrore e cila sivjet u mbajt në një ambient tjetër, pranë restorantit “Shasi”, buzë Liqenit të Shasit, ishte e përbërë nga një mozaik veprimtarish përfshirë muzikën popullore, ushqimin popullor, miniekspozitën e prodhimeve artizanale dhe ushqimin popullor.
Përveç këngëtarëve dhe grupeve vendore, mysafirë të manifestimit të sivjetshëm ishin këngëtari Zef Beka, humoristi Gëzim Kruja dhe aktorja Rajmonda Marku.
Dita qendrore e manifestimit tuboi një numër të madh vizitorësh nga të gjitha trevat shqiptare në Mal të Zi dhe nga Shkodra, që kishin ardhur të festojnë së bashku me anamalasit.
Edicioni i pestë i manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”, i cili organizohet nga Organizata joqeveritare “Ora” ishte në vazhdën e edicioneve të kaluara dhe u vlerësua nga të pranishmit si njëri ndër edicionet e deritashme më të mira, i denjë për të shënuar pesëvjetorin e këtij manifestimi.
(Kohapress)