Ulqinakët kërkojnë ullishten e shpronësuar
Qeveria malazeze nxjerr në procedurë privatizimi gjirin e Valdanosit, që iu mor pronarëve shqiptarë në vitin 1978
Nëse shkon në Ulqin, është e pamundur të mos kuptosh rëndësinë që ullinjtë kanë në ndërgjegjen e banorëve të këtij qyteti. Rreth katër kilometra në veri të qytetit, rrugës për në Tivar, gjendet një gji i mbyllur i mbuluar me ullinj 500 vjeçar, gjiri i Valdanosit.
Aty gjendet një pjesë e konsiderueshme e ullinjve të të gjithë zonës. Fati i atij gjiri ka shqetësuar tashmë prej tre dekadash ulqinakët, ndërsa së fundmi është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. Pronarët që kishin ullinjtë dhe tokat aty, u shpronësuan përkundrejt shpërblimit nga qeveria e ish-Jugosllavisë me argumentimin se ushtria jugosllave do të ndërtonte një bazë të madhe detare aty.
Ulqinakët u trembën se një veprim i tillë do të ndryshonte vijën kufitare etnike mes shqiptarëve dhe malazezëve. Tema e kufijve etnik vijon të jetë një nga pikat e nxehta të diskutimit mes politikanëve shqiptarë në këtë vend. Baza ushtarake në fakt nuk u ndërtua kurrë.
Ullishtja mbeti ashtu siç qe. Kur qeveria e Malit të Zi filloi procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave, Komuna e Ulqinit vendosi të kthejë me letra këtë gji te pronarët e mëparshëm, por ndërkohë, shfrytëzuesi i tokës së shpronësuar, ndërtoi një kompleks turistik që zuri rreth 5% të sipërfaqes.
Autoritetet e Podgoricës nuk e njohën vendimin për kthimin e pronës. Sipas zyrtarëve, prona është shtetërore për shkak se është shpronësuar për interes publik përkundrejt pagesës në vitin 1978. Por ulqinakët duket se nuk kanë ndër mend të dorëzohen.
Një shoqatë që përfaqëson ish-pronarët, njoftoi dje se do të fillojë luftën ligjore dhe politike, fillimisht në parlamentin e Malit të Zi dhe “po të jetë nevoja, edhe në Strasburg”.
Pronarët thonë se shpronësimi i tyre u krye nën kushtet e presionit të ushtruar nga autoritetet e një shteti policor dhe se janë të gatshëm të kthejnë paratë e marra me vlerë të aktualizuar. Argumenti i tyre më i fortë qëndron në faktin se shpronësimi është kryer teorikisht për interesin publik të mbrojtjes kombëtare, gjë që nuk është realizuar asnjëherë dhe se ndryshimi i destinacionit përbën shkelje ligjore.
Gjergj Erebara
Autor / Shekulli